Të paktën 27 persona u vranë në një zjarr masiv që përfshiu një pub në Bangkok herët në mëngjes të hënën sipas kohës lokale, thanë zyrtarët lokalë, sipas AP.
Punonjësit e shpëtimit thanë se zjarri u raportua rreth mesnatës. Pamjet e shpërndara në mediat sociale treguan një flakë të madhe që shpërthente nga dera e përparme e pub-it në lagjen Chatuchak, në pjesën veriore të kryeqytetit tajlandez. Njerëzit filluan të largoheshin nga ambientet në panik, por 27 persona vdiqën para se zjarrfikësit të ishin në gjendje të shuanin flakët. Disa të tjerë u dërguan në spital.
Sipas kryeministrit tajlandez Anutin Charnvirakul, shkaku i zjarrit është ende i panjohur. Zjarrfikësve iu desh rreth gjysmë ore për ta vënë nën kontroll. Fotot dhe videot tregojnë tavolina dhe karrige të djegura dhe brendësinë e shkatërruar të restorantit.
Mediat lokale e identifikuan vendin si Rong Beer Na Lat Phrao, të cilin Sky News e përshkruan si një vend të njohur lokal.
Tajlanda pësoi një tragjedi të ngjashme katër vjet më parë. Një zjarr në një pub muzikor në lindje të vendit vrau 14 persona. Edhe më e keqe ishte tragjedia në klubin e natës Santika në Bangkok në vitin 2009, kur 66 persona vdiqën dhe më shumë se 200 u plagosën pasi fishekzjarrët shkaktuan një zjarr brenda lokalit gjatë një festimi të Vitit të Ri.

