Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka vazhduar aktivitetet në kuadër të shënimit të 20-vjetorit të themelimit, duke organizuar ditën e tretë të “Javës së Agjencisë” me temën “Transparenca e të Dhënave – Themeli i Demokracisë dhe Vlerësimeve të Pavarura”.
Gjatë aktivitetit, drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, tha se në dy dekadat e funksionimit institucioni ka kaluar përmes sfidave, por ka shënuar edhe arritje të rëndësishme.
“Në këto 20 vjet agjencia ka numëruar, përveç sfidave që ka pasur që nga dita e parë, edhe suksese të shumta. Sukseset fillojnë që nga krijimi i strukturës së agjencisë, rekrutimi i stafit adekuat dhe trajnimi i tyre, po ashtu edhe krijimi i legjislacionit bazë për funksionimin dhe procedurave të funksionimit”, tha Buleshkaj.
Ai foli edhe për aktivitetet e organizuara gjatë kësaj jave, duke theksuar se agjencia ka zhvilluar takime në 11 komuna të Kosovës me qytetarë dhe zyrtarë komunalë, ku janë ndarë informata mbi etikën, sjelljen etike në punë dhe mekanizmat për raportimin e shkeljeve dhe keqpërdorimeve.
Një nga zhvillimet kryesore të ditës së tretë ishte lansimi i platformës Open Data, e cila sipas Buleshkajt ishte një kërkesë e kahershme e shoqërisë civile dhe mediave.
“Sot është dita e tretë për neve tepër e rëndësishme sepse si institucion për herë të parë e lansojmë platformën Open Data. Kjo platformë ka qenë kërkesë e kahershme edhe e shoqërisë civile dhe mediave për të pasur qasje më të lehtë në informatat që posedon agjencia”, deklaroi ai.
Buleshkaj shtoi se platforma do të mundësojë qasje më të lehtë në të dhënat, veçanërisht ato për deklarimin e pasurisë, të cilat përdoren nga mediat, organizatat e shoqërisë civile dhe studiuesit.
Ai theksoi se agjencia ka krijuar edhe mekanizmin API, përmes të cilit organizatat dhe mediat mund të marrin qasje të drejtpërdrejtë dhe automatike në përditësimet e të dhënave të agjencisë.
“Standardi i të dhënave të hapura është standard i transparencës, është standard i afërsisë së agjencisë me qytetarin. Ky mekanizëm jua lehtëson mjaft shumë, po besojmë, të gjithë të interesuarve për të pranuar të dhënat jo tashmë vetëm në formatin PDF, por në formate të cilat janë ose Excel apo CSV e të tjerë, të cilët janë lehtë të përpunueshëm nga ta”, tha Buleshkaj.
Sipas tij, sistemi i ri do të lehtësojë edhe aspektin teknik të publikimit të të dhënave, pasi qytetarët do të kenë mundësi t’i shkarkojnë dhe t’i konvertojnë ato në formatin që u nevojitet.

