Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka rikujtuar punëdhënësit se regjistrimi i punëtorëve është jo vetëm obligim ligjor, por edhe një element thelbësor për mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Përmes një njoftimi, ATK ka bërë thirrje që çdo punëtor i ri të regjistrohet në kohë, ndërsa të dhënat e punëtorëve ekzistues të përditësohen rregullisht, në përputhje me kërkesat ligjore.
Sipas ATK-së, mbajtja e evidencave të sakta ndihmon në shmangien e parregullsive administrative, rrit transparencën dhe siguron përmbushjen e obligimeve që rrjedhin nga legjislacioni në fuqi.
Institucioni thekson se respektimi i këtyre detyrimeve kontribuon në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, si dhe në funksionimin e rregullt të sistemit tatimor dhe të marrëdhënieve të punës.

