Kryetari i Obiliqit, Halil Thaçi, ka deklaruar se është intervistuar nga Prokuroria Speciale në cilësinë e dëshmitarit lidhur me hetimet për shpronësimet në fshatin Shipitullë për nevojat e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).
Pas përfundimit të intervistimit, Thaçi tha se e mirëpret hetimin dhe kërkoi që rasti të zbardhet plotësisht.
“Unë jam shumë i kënaqur që Prokuroria ka filluar të merret me këtë çështje dhe i bëj thirrje Prokurorisë që ta hetojë deri në fund. Po ashtu, i kam bërë thirrje edhe nga Kuvendi që të hetohet çdo keqpërdorim i mundshëm në ato pjesë”, deklaroi ai.
Duke komentuar arsyen e përfshirjes së emrit të tij në këtë rast, Thaçi tha se bëhet fjalë për një çështje të nxitur nga kundërshtarët politikë.
“Kjo është një temë e përgatitur prej moti nga rivalët e mi politikë. Më kanë përfshirë në çështjen e shpronësimeve në fshatin Shipitullë”, u shpreh ai.
Lidhur me intervistimin, ai theksoi se ka bashkëpunuar me organet e drejtësisë dhe është përgjigjur për të gjitha pyetjet.
“Po, si dëshmitar, ata natyrisht që më pyetën për çdo gjë dhe unë, për çka do që di, do t’i përgjigjem prokurorit”, tha Thaçi.
Në fund, Thaçi tha se nuk do të pranojë presione apo shantazhe.
“Nuk kam rënë pre e shantazheve të mediave, e asnjëherë nuk do të bie. Kurrë nuk do të shantazhohem e as nuk do të kërcënohem. Unë do të jem gardian i të drejtave të qytetarëve të mi”, theksoi ai.

