Tuesday, July 21, 2026
HomeSportTorres për golin e Botërorit: Ishte i 47 milionë spanjollëve

Torres për golin e Botërorit: Ishte i 47 milionë spanjollëve

Ferran Torres ka përjetuar një nga momentet më të mëdha të karrierës së tij, pasi goli i tij në minutën e 106-të i dha Spanjës triumfin ndaj Argjentinës në finalen e Kupës së Botës 2026.

Sulmuesi i Barcelonës, i cili u aktivizua nga banka rezervë dhe u shndërrua në heroin e finales, ka theksuar se ky sukses i përket gjithë popullit spanjoll dhe jo vetëm atij personalisht.

“Në fund, besoj se ky gol nuk ishte vetëm i imi, por i 47 milionë njerëzve. Mendoj se gjithçka ishte shkruar dhe se fati na kishte rezervuar këtë moment. Gjithçka u bashkua që ne të fitonim,” u shpreh Torres për “TVE”.

Ferran pranoi se përballja me Argjentinën, kampionen në fuqi të botës dhe me Lionel Messin në përbërje, kishte sjellë emocione të veçanta.

“Të gjitha finalet janë të vështira, por kur përballë ke Messin, gjithmonë ekziston pak më shumë presion. Megjithatë, ne u përqendruam te vetja dhe e treguam edhe një herë se çfarë skuadre jemi”, theksoi ai.

Torres foli edhe për periudhën e vështirë gjatë turneut, ku u kritikua për mungesën e golave, duke e cilësuar realizimin në finale si një moment të jashtëzakonshëm.

“Ishte një emocion i papërshkrueshëm. Jam kritikuar shumë gjatë kësaj Kupe të Botës, por vazhdova të punoj. Falënderoj Zotin që më jep gjithmonë forcë për të vazhduar përpara. Besoj se puna dhe përkushtimi shpërblehen”, tha ai.

Sulmuesi spanjoll foli edhe për minutat e fundit të finales, ku Argjentina mbeti me një lojtar më pak pas përjashtimit të Enzo Fernandezit.

“Argjentina ishte përgatitur për këtë lloj ndeshjeje dhe pas kartonit të kuq u mbyll edhe më shumë. Ishte e rëndësishme të ruaja qetësinë dhe të kontrolloja emocionet”, deklaroi Torres.

Me golin e tij në New Jersey, Ferran Torres u bë protagonisti i një nate historike për Spanjën, duke i siguruar kombëtares së tij trofeun e dytë të Kupës së Botës.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram