Prokuroria Themelore në Pejë ka dhënë detaje lidhur me helmimin e disa personave gjatë protestës së mbrëmshme në fshatin Sferkë, në zonën e deponisë së mbeturinave të përfshirë nga zjarri.
Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, bëri të ditur se një person është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Pejës, ndërsa disa protestues të tjerë kanë marrë ndihmë mjekësore në vendin e ngjarjes nga ekipet emergjente.
Sipas tij, në vendngjarje janë angazhuar Policia e Kosovës, ekipet e emergjencës dhe zjarrfikësit, të cilët po punojnë për menaxhimin e situatës dhe lokalizimin e zjarrit.
Prokuroria njoftoi gjithashtu se, që nga shpërthimi i zjarrit javën e kaluar, është angazhuar edhe një ekspert i zjarreve për të përcaktuar shkaqet.
Sipas prokurorisë, nëse hetimet vërtetojnë se zjarri është shkaktuar nga faktori njerëzor, do të ndërmerren veprimet e nevojshme ligjore ndaj personave përgjegjës.

