Dy persona janë arrestuar nën dyshimin për tentim kontrabandimi të mallrave përmes rrugëve ilegale në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Sipas Policisë, të arrestuarit janë një shtetas i Maqedonisë së Veriut dhe një shtetas i Kosovës, të cilët dyshohet se me një automjet të tipit kombi kanë tentuar të kalojnë kufirin jashtë pikave zyrtare, me qëllim kontrabandimin e mallrave.
Gjatë kontrollit të automjetit, policia ka gjetur mall komercial që nuk posedonte dokumentacionin përkatës.
“Janë arrestuar dy të dyshuar njëri mashkull Shtetas i Maqedonisë së Veriut dhe tjetri mashkull kosovar të cilët me automjetin kombi kanë tentuar ta kalojnë kufirin Kosovë – Maqedoni përmes rrugëve ilegale me qëllim të kontrabandimit të mallit. Gjatë kontrollit në automjet është hasur mall komercial pa dokumente përkatëse . Me vendim të prokurorit i dyshuari shtetas i Maqedonisë së veriut është dërguar në mbajtje për 48 orë ndërsa tjetri lirohet në procedurë te rregullt.Rasti po hetohet nga ekipet relevante policore”, thekson policia.
Me vendim të prokurorit, shtetasi i Maqedonisë së Veriut është ndaluar për 48 orë, ndërsa i dyshuari kosovar është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti është duke u hetuar nga njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës.

