Policia e Kosovës ka publikuar raportin 24-orësh, në të cilin janë evidentuar disa raste kriminale në rajone të ndryshme të vendit, përfshirë arrestime për vjedhje, kanosje, sulm seksual, posedim të paautorizuar të armëve dhe narkotikëve.
Në rajonin e Prishtinës, tre persona u arrestuan në Obiliq nën dyshimin se kishin kryer disa vjedhje ditë më parë. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Po ashtu, në fshatin Orllan, është arrestuar një person i dyshuar për veprën penale “Sulm seksual” ndaj një gruaje. Me urdhër të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.
Në një rast tjetër në Prishtinë, një shtetas i huaj raportoi se u sulmua me thikë nga dy persona të panjohur derisa ishte duke lëvizur me automjet. Viktima pësoi lëndime në duar, mori trajtim në QKUK, ndërsa rasti mbetet nën hetime.
Policia raportoi edhe dy raste të kanosjes, në Prishtinë dhe Graçanicë. Në Graçanicë, një i dyshuar u arrestua pasi dyshohet se kishte kanosur një person me granatë dore. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij nuk u gjetën mjete të dyshimta.
Në rajonin e Ferizajt, një person u arrestua në Shtime nën dyshimin se kishte kanosur dhe sulmuar disa persona. Ndërkohë, në Han të Elezit, një i dyshuar dorëzoi një pistoletë me gaz që e kishte përdorur në një aheng familjar, ndërsa rasti vazhdon në procedurë të rregullt.
Në Pejë, një person u arrestua në Klinë pasi gjatë një mosmarrëveshjeje kishte ekspozuar një armë zjarri, pa e drejtuar atë ndaj viktimës. Arma u dorëzua vullnetarisht dhe i dyshuari u lirua në procedurë të rregullt.
Në Istog u raportua një rast i dhunës në familje, ku dy gra dyshohet se sulmuan fizikisht një burrë, i cili pësoi lëndime trupore dhe mori trajtim mjekësor.
Një tjetër ngjarje u regjistrua në Junik, ku ekipet e deminimit asgjësuan pesë bomba dore të gjetura nga një qytetar.
Në rajonin e Gjakovës, gjatë kontrollit në shtëpinë e një të dyshuari, policia sekuestroi një pistoletë, dy karikatorë dhe 24 fishekë.
Në Mitrovicë, një person u arrestua pasi iu gjetën mbi 53 gramë marihuanë, ndërsa në Skenderaj një i dyshuar u arrestua pasi dyshohet se plagosi aksidentalisht një person me armë zjarri. Viktima u dërgua për trajtim në QKUK, ndërsa i dyshuari u lirua në procedurë të rregullt.
Po ashtu, Policia raportoi një rast të shmangies nga tatimi, ku në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës dhe institucionet përkatëse u kontrolluan 34 auto-parkingje në Mitrovicë, Vushtrri dhe Skenderaj, gjatë të cilit u konstatuan parregullësi.
Në Mitrovicën e Jugut u raportua edhe një rast i dhunës në familje, i cili mbetet në procedurë hetimore.
Ndërkohë, një aksident trafiku i ndodhur më 17 korrik në Mitrovicë mori epilog tragjik, pasi më 22 korrik njëra nga të lënduarat ndërroi jetë në QKUK. Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Në rajonin e Mitrovicës së Veriut, policia regjistroi një rast vjedhjeje në Zveçan, ku nga një automjet u vodh një telefon mobil me vlerë rreth 235 euro, si dhe një rast të dëmtimit të pronës në Leposaviq, ku bagëtitë e një personi dëmtuan arën e ankuesit.
Sipas Policisë së Kosovës, rajonet e Gjilanit dhe Prizrenit nuk kanë raportuar incidente me rëndësi gjatë 24 orëve të fundit.

