Ka dështuar mbledhja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), pasi disa anëtarë e kanë lëshuar mbledhjen, çka e pamundësoi vazhdimin e mbledhjes
Çështja e vendosjes për dorëheqjen e ish-gjyqtarëve e ish-prokurorëve serb ka shkaktuar polemika ndërmjet anëtarëve. Rrustem Thaqi, ka kërkuar vazhdimisht respektimin e rendit të ditës dhe mbajtjes e mbledhjes nën një debat të mirëfilltë ndërmjet tyre.
Anëtari i KGjK-së, Ahmet Imami ka kërkuar pjesëmarrjen edhe të dy anëtarëve të tjerë, në mënyrë që KGJK të jetë e kompletuar kur merren vendimet.
Gjatë diskutimit, anëtari i KGJK-së, Bashkim Hyseni, ka kërkuar që kjo çështje të jetë pika e parë e rendit të ditës, duke kërkuar përgjigje se pse trajtimi i dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb është vonuar për kaq gjatë.
“4 vite kanë pritur do të duhej të ishte pika e parë e rendit të ditës. Me qenë se prej dorëheqjes së tyre ata janë mbajtur në sitë pa ndonjë bazë. KGJK është dashur që të vendos moti këtë çështje”, tha Hyseni.
Ai tha se mund të ndodh që dorëheqja të revokohet sa është e freskët, një javë apo një muaj, mirëpo “pas katër vitesh është e pa konceptueshme në aspektin kushtetues e ligjor, për shkak se krijon destabilitet dhe cenon parimin e sigurisë juridike”, tha Bashkim Hyseni.
Kryesuesi i KGJK-së, Rrustem Thaqi, është përgjigjur se nuk mund të japë përgjegjësi për këtë çështje, pasi sipas tij, ai është emëruar së fundmi në pozitën e kryesuesit.
LIVE: Mbledhja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës
Ka filluar mbledhja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ku njëra ndër pikat do të jetë edhe shqyrtimi i kërkesës së u.d. Presidentes së Republikës së Kosovës dhe i njoftimeve të gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb për tërheqjen e dorëheqjeve.
U.d. Presidentja Albulena Haxhiu, përmes një letre të dërguar më 19 qershor 2026 te kryesuesi i KGJK-së, Rrustem Thaqi, kishte kërkuar që Këshilli t’i japë epilog çështjes së dorëheqjeve të ofruara nga gjyqtarët dhe stafi mbështetës i komunitetit serb brenda sistemit gjyqësor të Kosovës.

