Dy persona janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për falsifikim dokumentesh dhe mashtrim në një rast që lidhet me shitblerje të paligjshme të pronave në vlerë prej rreth 1 milion e 550 mijë eurosh.
Në një njoftim për media, Prokuroria Themelore në Prishtinë bëri të ditur se aksioni është zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHEKEK).
“Pas ndërmarrjes të veprimeve hetimore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar dy persona për 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’, nga neni 390 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe ‘Mashtrimi’, nga neni 323 i KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas organit të akuzës, të dyshuarit dyshohet se kanë përdorur dokumente të falsifikuara për të realizuar transaksione të kundërligjshme me prona.
“Sipas dyshimeve fillestare në këtë fazë të procedurës, ekziston dyshimi se të njëtit kanë falsifikuar dokumente të ndryshme, përfshirë pasaporta, letërnjoftime dhe çertifikata, të cilat më pas janë përdorur si dokumente të vërteta me qëllim të realizimit të shitblerjes së paligjshme të pronave. Me këto veprime dyshohen se personat kanë tentuar të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme një shumë prej rreth 1 milionë e 550 mijë euro”, theksohet në komunikatë.
Prokuroria njofton se të dyshuarit janë intervistuar në prani të mbrojtësve të tyre, ndërsa pas vlerësimit të provave të siguruara deri më tani, dy prej tyre janë ndaluar, kurse personi i tretë është liruar në procedurë të rregullt.
“Pas analizimit dhe verifikimit të provave të siguruara deri në këtë fazë të procedurës, dy prej tyre janë ndaluar për 48 orë, ndërsa personi i tretë është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet më tej në njoftim.
Sipas Prokurorisë, prokurori i rastit do të vendosë brenda afatit ligjor për paraqitjen e mundshme të kërkesës për caktimin e masave ndaj të dyshuarve.
“Prokurori i çështjes, brenda afatit ligjor, do të shqyrtojë paraqitjen e kërkesës për caktimin e njërës nga masat për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë penale, në përputhje me dispozitat ligjore të Kodit të Procedurës penale”, thuhet në komunikatë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.

