Friday, July 31, 2026
HomeLajmeKosovëAbdixhiku njofton rikthimin e LDK-së në diskutime me VV-në për institucione

Abdixhiku njofton rikthimin e LDK-së në diskutime me VV-në për institucione

Kreu i rikonfirmuar i LDK-së, Lumir Abdixhiku, konfirmoi se ky subjekt politik nga nesër vazhdon me diskutimet për formimin e institucioneve të reja. Ai falënderoi delegatët e Kuvendit të Jashtëzakonshëm për besimin e ri të dëshmuar ndaj udhëheqjes së tij.

“LDK, pas një pushimi të shkurtër, miratoi edhe një deklaratë dhe mori një vendim që ka të bëjë me gjendjen politike në Kosovë. Delegatët e këtij Kuvendi, me shumicë votash, mbështetën përpjekjen tonë për të siguruar stabilitet institucional në Kosovë dhe për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme, të katërtat me radhë”, tha ai.

“Prej këtij momenti, unë heq çështjen e pezullimit të diskutimeve dhe LDK-ja është e hapur të diskutojë për institucionet”, tha ai, teksa shtoi se fillimisht do të definohen parimet e përbashkëta me LVV-në, e më pas do të vijë koha për diskutimet rreth ndarjes së pozitave.

Abdixhiku: Nëse Rama është i përfshirë në trazimin e LDK-së, ka gabuar

Kryetari i LDK-së, duke folur për përpjekjet për shkarkimin e tij, komentoi edhe për kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama. Ai tha se, nëse Rama është përfshirë, siç pretendoi ai, në përdorimin e mekanizmave shtetërorë për të trazuar LDK-në, ka gabuar.

“Procesin e shkarkimit mund ta kuptoj. Prej asaj çka kam parë publikisht, prej përgjimeve, nëse mekanizmat shtetërorë janë përdorur për të trazuar LDK-në, do të ketë përgjegjësi të madhe në këtë drejtim. Mendoj se kanë gabuar të gjithë ata që janë përfshirë në këtë drejtim. Nëse zoti Rama është përfshirë në këtë drejtim, ka gabuar rëndë dhe anëtarësia e LDK-së nuk e pranon një gjë të tillë”, tha ai.

“Për aq sa janë në LDK, duhet dhe do ta respektojnë këtë vendim të Kuvendit të LDK-së, përndryshe nuk ka kuptim as demokracia, as organizimi partiak”, deklaroi Abdixhiku.

“Përkundër makinerisë së madhe të kësaj fushate të panevojshme për LDK-në, delegatët dhe anëtarësia jonë vendosën me votë mirë dhe qartë”, tha ai.

Abdixhiku: LDK-ja dëshmoi demokracinë maksimale

Ai tha se nuk duhet harruar se LDK-ja ekziston për interesat e qytetarëve, e jo për karrige politike.

“Edhe njëherë, për të satën herë, LDK-ja dëshmoi demokracinë maksimale. Në këtë demokraci, delegatët dhanë drejtim jo vetëm për lidershipin e partisë, por edhe për orientimin vleror e programor të kësaj shtëpie të madhe politike. Jam i lumtur me rezultatin, jam falënderues ndaj delegatëve mbështetës që kanë rikonfirmuar rezultatin e janarit dhe jam mirënjohës edhe për delegatët e tjerë që ndajnë mendim ndryshe, por të gjithë së bashku jemi zotuar të punojmë bashkë”, tha Abdixhiku.

Ai tha se reforma e brendshme e partisë nuk është përjashtuese, por gjithëpërfshirëse. Ai kritikoi anëtarët që e kritikojnë vazhdimisht partinë, por që, sipas tij, ndërkohë nuk kontribuojnë dhe nuk kanë përgjegjësi.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram