Thursday, July 30, 2026
HomeLajmeKosovëNë Llashticë u përurua Obelisku i UÇK-së në nderim të dëshmorëve

Në Llashticë u përurua Obelisku i UÇK-së në nderim të dëshmorëve

Çdo memorial i UÇK-së konsiderohet gur themeli në kujtesën historike të kombit dhe një urë që lidh brezat me të kaluarën.

Në ceremoninë solemne të përurimit të Obeliskut të UÇK-së në Llashticë të Gjilanit, u tha se liria nuk ishte dhuratë, por rezultat i gjakut, mundit dhe sakrificës së bijve dhe bijave të Kosovës.

 “Në gjithë territorin e Kosovës, bijtë dhe bijat më të mirë u rreshtuan rreth këtyre tri shkronjave dhe ia sollën lirinë Atdheut”, tha Ahmet Isufi, ish-komandant i ZOK-ut.

“Në këtë ditë i kujtojmë të gjithë ata, në secilën periudhë kohore të historisë së popullit, që kanë luftuar, kanë sakrifikuar dhe kanë bërë diçka për të ardhur deri këtu”, deklaroi në anën tjetër Xhavit Jashari, përfaqësues i familjeve të dëshmorëve të UÇK-së.

Në ceremoninë e përurimit morën pjesë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës. Ata thanë se tri shkronjat e UÇK-së nuk përfaqësojnë vetëm një emërtim ushtarak, por mishërojnë historinë e qëndresës, guximit dhe sakrificës për liri.

 “Vërtet, këto tri shkronja për ne janë themeli i lirisë sonë, janë historia jonë më e lavdishme, historia jonë për të cilën shumë breza luftuan, ranë, u burgosën dhe u maltretuan”, tha Shqipe Mehmeti-Selimi, deputete e Kuvendit të Kosovës.

 “Kush i kontrollon pikat e larta e kontrollon edhe pjesën jashtë, por edhe kush është në pikat e larta, të tjerët e shohin lartësinë e asaj pike. Kështu që është e rëndësishme që ne po i vendosim”, tha deputeti tjetër, Elmi Reçica.

Me rastin e ngritjes së Obeliskut të UÇK-së, u tha se memorialët kanë rëndësi të veçantë për ruajtjen e kujtesës historike dhe përcjelljen e saj te brezat e rinj.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram