Nën masa të shtuara sigurie dhe me asistimin e Policisë së Kosovës, punonjësit e Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenci” dhe Inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit nisën të enjten në mëngjes rrënimin e motelit “Jezero”, në afërsi të Zubin Potokut.
Aksioni u zhvillua pasi kishte skaduar afati që “Ibër-Lepenci” u kishte dhënë shfrytëzuesve për lirimin e pronës publike përreth Liqenit të Ujmanit.
Pas përfundimit të rrënimit, ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, njoftoi se deri më tani janë rrënuar gjithsej 17 objekte të ndërtuara pa leje përreth Liqenit të Ujmanit.
Në një postim në rrjetet sociale, Pacolli tha se aksioni do të vazhdojë edhe në pjesë të tjera të Kosovës, duke theksuar se institucionet nuk do të bëjnë kompromis në mbrojtjen e pronës publike dhe zbatimin e ligjit.
Aksioni i sotëm është vazhdim i operacionit të nisur më 21 korrik, kur u rrënuan 11 objekte të ndërtuara pa leje në pronën e Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”.
Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes, Faruk Mujka, kishte bërë të ditur se pronarët ishin njoftuar më 3 korrik për t’i liruar objektet deri më 17 korrik. Meqenëse afati nuk ishte respektuar, ndërmarrja kërkoi ndërhyrjen e Inspektoratit për ekzekutimin e vendimeve.
Mujka kishte deklaruar më herët se numri i saktë i objekteve të ndërtuara pa leje në këtë zonë ende nuk është përcaktuar, por se deri tani janë identifikuar mbi 80 ndërtime pa leje, duke paralajmëruar se aksioni për rrënimin e tyre do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

