etë vjet nga ndarja nga jeta, emri i regjisorit Bekim Lumi vazhdon të kujtohet si një nga figurat më të rëndësishme të teatrit bashkëkohor në Kosovë dhe në hapësirën shqiptare. Përmes një krijimtarie të veçantë regjisoriale, ai la pas një trashëgimi të gjerë artistike, me shfaqje që u vlerësuan për kërkimin estetik, interpretimin dhe gjuhën e tyre të veçantë skenike.
Ndër veprat më të njohura të Bekim Lumit janë “Këmisha e gjakut”, “Arturo Ui”, “Dilerat”, “Mësimi”, “Galani”, “Shtëpia e Bernarda Albës”, “Çifti Martin”, “John Cage’s Hamlet” dhe “Nana dhe fëmija”. Përmes këtyre realizimeve, Lumi solli një qasje të re ndaj teatrit, duke e konceptuar skenën si një hapësirë kërkimi, eksperimentimi dhe komunikimi të drejtpërdrejtë me publikun.
“Këmisha e gjakut”, e realizuar përmes Teatrit Laborator “Loja”, ishte një nga shfaqjet që dëshmoi bindjen e tij se fuqia e teatrit nuk varet nga madhësia e skenës, por nga loja e aktorit, energjia krijuese dhe përjetimi artistik. Ndërsa “Arturo Ui” i Bertolt Brechtit, shfaqja e fundit e tij, u cilësua si një testament artistik i një regjisori që deri në fund mbeti i përkushtuar ndaj kërkimit dhe sfidimit të formave tradicionale teatrore.
Një vend të veçantë në krijimtarinë e Lumit zë Teatri Laborator “Loja”, i themeluar si një hapësirë për zhvillimin e ideve të reja skenike. Në këtë laborator krijues, aktori dhe procesi i punës ishin në qendër të filozofisë së tij artistike, ndërsa “loja” mbeti koncepti themelor i gjithë rrugëtimit të tij teatral.
Në 8-vjetorin e përkujtimit të Bekim Lumit, publicisti Afrim Demiri ka ndarë një mesazh kujtese, duke e cilësuar 30 korrikun si Ditën e kujtesës për regjisorin. Ai ka bërë të ditur se në këtë ditë do të dërgohen letra përkujtimore në dhjetëra adresa, me pullën postare me portretin e Bekim Lumit.
Sipas Demirit, kjo nismë lidhet me dashurinë e veçantë që Lumi kishte për letërkëmbimin dhe komunikimin përmes postës. Letrat dhe kartolinat që ai u dërgonte miqve dhe familjarëve, sipas tij, kanë mbetur dëshmi e ndjeshmërisë së tij njerëzore dhe krijuese.
“Arti i tij, në sajë të përkushtimit tuaj, ka vazhduar të flasë me publikun”, shkruan Demiri në mesazhin e tij, duke falënderuar institucionet kulturore, artistët dhe artdashësit që kanë kontribuar në ruajtjen dhe promovimin e veprës së Bekim Lumit.

