Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, një ditë pas Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë, ku i mbijetojë mocionit për shkarkim, ka theksuar se vendimin e delegatëve do ta marrë si përgjegjësi për ta ruajtur kahjen e LDK-së.
Në një postim në rrjetet sociale, Abdixhiku tha se kishte besuar se Kuvendi ishte i panevojshëm, i dëmshëm dhe i ngutshëm, por se tani ai i përket së shkuarës.
“Në LDK, fjala e fundit i takon gjithmonë anëtarësisë. Mbrëmë ajo foli. Kam besuar se ky Kuvend ishte i panevojshëm, i dëmshëm e i ngutshëm. Sot, ai i përket së shkuarës. E pranoj me përulësi vendimin e delegatëve dhe e marr atë si një përgjegjësi të re për ta ruajtur me fanatizëm kahjen e LDK-së. LDK mbetet veç e anëtarësisë dhe ky është verdikti më thelbësor që dha LDK-ja mbrëmë”, ka shkruar ai.
Ai ka bërë thirrje për bashkim brenda partisë, duke vlerësuar se LDK-ja është ndërtuar mbi kulturën e dialogut, maturisë dhe respektit për mendimin ndryshe.
“Kjo periudhë na sprovoi. Por sprovat nuk duhet të na ndryshojnë vlerat. LDK-ja është ndërtuar mbi kulturën e dialogut, të maturisë dhe të respektit për mendimin ndryshe. Pikërisht këto vlera duhet të na udhëheqin edhe tani”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai tutje ka shprehur mirënjohjen e tij për ata që i besuan, por ka thënë se po aq mirënjohje ka edhe për ata që menduan ndryshe.
“Demokracia nuk kërkon njëzëshmëri; ajo kërkon respekt. Tani, më ndihmoni të gjithë, të bashkojmë këtë shtëpi; dhe nga këtu të bashkojmë dhe gjithë Kosovën. Ky është roli ynë si LDK e vërtetë. Rolet tjera nuk na përkasin neve. LDK ka nevojë për bashkim; gjersa Republika ka nevojë për stabilitet institucional, për institucione funksionale dhe për një politikë që vendos interesin shtetëror mbi çdo llogari tjetër. Ky do të mbetet orientimi ynë. Kështu njihet LDK”, ka thënë tutje Abdixhiku.
Ai në fund theksoi se LDK mbrëmë mbylli një kapitull, derisa sot fillojnë punën, së bashku për LDK-në e anëtarësisë dhe për Republikën e popullit.

