Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, pas takimit me kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se PDK-ja do të jetë në opozitë dhe kërkoi që procesi i konstituimit të Kuvendit të përfundojë pa vonesa.
“Ne ende nuk e dimë saktë se kush do të jetë në opozitë e kush në pushtet, por PDK do të jetë në opozitë”, deklaroi Çitaku.
E pyetur për çështjen e zgjedhjes së presidentit, Çitaku tha se kjo nuk duhet të shihet si një vend pune, duke theksuar se për PDK-në ka edhe çështje të tjera të rëndësishme.
“Çështja e presidentit nuk është një vend pune. Zgjedhja e presidentit i mundëson Albin Kurtit qeverisje 4-vjeçare”, tha ajo.
Sipas saj, përveç zgjedhjes së presidentit, rëndësi kanë edhe çështje të tjera, për të cilat PDK-ja ka dallime me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Për ne, po aq sa është i rëndësishëm presidenti, është raporti me SHBA-të, është gazi amerikan, është sektori privat, liria e mediave, mbrojtja e demokracisë”, u shpreh Çitaku.
Lidhur me mundësinë e zgjedhjeve të reja në rast të mungesës së numrave për zgjedhjen e presidentit, Çitaku tha se aktualisht duhet të fokusohet puna në konstituimin e Kuvendit.
“Janë edhe 98 deputetë pa deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës. Ka pasur bisedime më herët, është folur që do të ketë bisedime sërish, por po e ritheksoj sërish: është shumë e rëndësishme që Kuvendi të konstituohet, mos të ketë vonesa dhe mos të prodhohen kriza të reja institucionale dhe kushtetuese”, deklaroi Çitaku.

