Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka miratuar një deklaratë duke përcaktuar si orientim politik stabilitetin institucional, funksionalizimin e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe shmangien e zgjedhjeve të jashtëzakonshme nacionale.
Në dokumentin e miratuar më 30 korrik 2026 në Prishtinë, Kuvendi i LDK-së, si organi më i lartë vendimmarrës i partisë, thekson rolin historik dhe shtetformues të kësaj partie, si dhe angazhimin për ruajtjen e rendit demokratik dhe avancimin e orientimit euroatlantik të Kosovës.
Sipas deklaratës, kryetari i LDK-së, Kryesia, Këshilli i Përgjithshëm dhe Grupi Parlamentar obligohen që, brenda kompetencave të tyre statutare dhe kushtetuese, të ndërmarrin veprimet e nevojshme për realizimin e këtij orientimi.
“Veprimi politik i LDK-së duhet të udhëhiqet nga përgjegjësia e saj shtetformuese, nevoja për ruajtjen e balancës demokratike dhe domosdoshmëria e krijimit të stabilitetit politik e institucional për avancimin e objektivave euroatlantike të Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratë.
Një pjesë e veçantë e dokumentit i kushtohet respektimit dhe zbatimit të vendimeve të shumicës. Kuvendi ka përcaktuar se të gjithë anëtarët, zyrtarët, të zgjedhurit dhe përfaqësuesit e LDK-së janë të obliguar t’i respektojnë vendimet e organeve kompetente të partisë.
Në deklaratë thuhet se debati, mendimi ndryshe dhe kundërshtimi politik janë të lejuara brenda organeve dhe procedurave statutare të LDK-së, por pas përfundimit të procesit vendimmarrës, kundërshtimi publik apo pengimi i zbatimit të vendimeve legjitime të shumicës konsiderohet cenim i unitetit dhe rregullit partiak.
“Pozita partiake, mandati publik apo funksioni institucional nuk mund të shërbejnë si bazë për përjashtim nga përgjegjësia statutare, etike ose ligjore”, thuhet në deklaratë.
Po ashtu, Kuvendi ka vendosur edhe për kooptimin e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së me anëtarë të rinj, ku përfshihen të gjithë deputetët e zgjedhur të kësaj partie nga zgjedhjet e 7 qershorit.
Sipas vendimit, Kryesia e LDK-së do të jetë përgjegjëse për koordinimin e zbatimit të tij, ndërsa organet dhe strukturat e partisë obligohen që veprimet e tyre t’i harmonizojnë me këtë vendim.
Tutje thuhet se deklarata ka hyrë në fuqi në ditën e miratimit nga Kuvendi i LDK-së dhe është e detyrueshme për të gjitha organet, strukturat, zyrtarët, të zgjedhurit dhe anëtarët e partisë.


