Shefja e Grupit Parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, bëri me dije se në takimin e kryetares së Kuvendit me përfaqësuesit e partive parlamentare, është dakorduar që seanca konstituive e legjislaturës së 11-të të mbahet më 6 gusht.
“U dakorduam që, sipas ftesës, më 6 gusht të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së 11-të, sipas rendit të ditës të përcaktuar me rregullore”, tha Nagavci.
Ajo theksoi se, si subjekti fitues i zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme për konstituimin e institucioneve.
“Si subjekt që i kemi fituar zgjedhjet, jemi të gatshëm dhe mezi presim të konstituojmë të gjitha institucionet dhe të vazhdojmë punën me kompetenca të plota në legjislaturën e 11-të, në Qeverinë e Kosovës dhe më pas me zgjedhjen e presidentit apo presidentes, brenda afatit të përcaktuar”, pohoi ajo.
Duke komentuar deklaratën e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për vazhdimin e bisedimeve me Albin Kurtin pas përfundimit të punimeve të Kuvendit të LDK-së, Nagavci tha se ky vendim është i mirëpritur.
“Ne natyrisht e mirëpresim këtë vendim të Kuvendit të LDK-së dhe presim që të vazhdojnë diskutimet dhe të arrihet dakordimi, sepse vendi ka nevojë që sa më parë të vazhdojë puna”, tha ajo.
E pyetur nëse pritet të ketë takim gjatë ditës mes Kurtit dhe Abdixhikut, Nagavci u përgjigj se kjo është çështje që u takon dy liderëve.
“Kjo çështje vendoset mes kryetarit të LVV-së dhe atij të LDK-së. Besoj që, në afatin më të shkurtër të mundshëm, do të vazhdojnë bisedimet”, deklaroi ajo.
Nagavci theksoi gjithashtu se deri më tani nuk ka një marrëveshje në parim mes LVV-së dhe LDK-së.
“Deri më tani nuk ka asnjë dakordim për pozita të caktuara, por unë besoj që më e rëndësishmja është vullneti për t’i ofruar vendit institucione”, përfundoi ajo.

