Gazetarët dhe përfaqësuesit e mediave lokale në Luginën e Preshevës kanë përsëritur vazhdimisht kërkesën drejtuar institucioneve më të larta të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës që të shtojnë kujdesin institucional dhe mbështetjen konkrete për shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës, përkatësisht në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Sipas Unionit të Gazetarëve Shqiptarë (UGSH), ky angazhim nuk duhet të mbetet vetëm në deklarata, vizita simbolike apo premtime politike, por të shndërrohet në mbështetje të qëndrueshme, në përputhje edhe me detyrimet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë për kujdes ndaj shqiptarëve jashtë kufijve të saj.
UGSH rikujton se gazetarët e Luginës, në takimet rajonale të organizuara ndër vite, kanë kërkuar vazhdimisht që mediat publike dhe kombëtare të Shqipërisë dhe Kosovës të krijojnë një rrjet të qëndrueshëm reporterësh në këtë rajon.
Organizata e konsideron të papranueshme që prej më shumë se 25 vitesh Radiotelevizioni Shqiptar (RTSH) nuk ka një reporter të akredituar në Luginën e Preshevës, ndërsa thekson se nuk ekziston asnjë arsye që as RTSH në Tiranë dhe as RTK në Prishtinë të mos kenë të paktën një korrespondent të përhershëm që të raportojë për zhvillimet politike, shoqërore, kulturore dhe ekonomike të shqiptarëve në këtë trevë.
UGSH vëren se praktika të ngjashme ndiqen nga vende të tjera të rajonit, si Rumania, Bullgaria, Greqia dhe Maqedonia e Veriut, të cilat mbajnë reporterë të akredituar në zonat ku jetojnë pakicat e tyre kombëtare, duke e konsideruar këtë një element të rëndësishëm të informimit publik dhe ruajtjes së lidhjeve me komunitetet etnike.
Në reagim thuhet se shqiptarët e Luginës së Preshevës vazhdojnë të përballen me sfida serioze, duke përfshirë procesin e pasivizimit të adresave, emigrimin, zbrazjen e territorit, veçanërisht në Medvegjë, si dhe ndryshimet demografike që, sipas tyre, ndikojnë drejtpërdrejt në pozitën e komunitetit shqiptar në Serbi.
Në përfundim, UGSH i bën thirrje Komisionit Parlamentar për Informim dhe Edukim, Këshillit Drejtues të RTSH-së, si dhe institucioneve më të larta kushtetuese të Shqipërisë dhe Kosovës që të ndërmarrin hapa konkretë për përmbushjen e këtij detyrimi institucional, duke mbështetur mediat dhe gazetarët shqiptarë në Luginën e Preshevës dhe duke siguruar një pasqyrim të vazhdueshëm të realitetit të këtij komuniteti.

