Departamenti i menaxhimit të pasurisë i Qytetit të Vatikanit tha sot se fitimi operativ ra me më shumë se 60 përqind në vitin 2025, por vlera e totalit të aseteve u rrit falë arit, pasurive të paluajtshme dhe investimeve. Në një vit të shënuar nga largimi i Papa Françeskut dhe mbërritja e Papa Leos, fitimi operativ i Vatikanit ishte 22.8 milionë euro, nga 62.2 milionë euro në vitin 2024, ndërsa asetet neto u rritën me 89 milionë euro në 2.686 miliardë euro.
Departamenti i Pasurive të Selisë së Shenjtë (APSA), i cili menaxhon investimet financiare dhe portofolin e pasurive të paluajtshme të Vatikanit, njoftoi se kishte transferuar 22.7 milionë euro për të ndihmuar në financimin e operacioneve të përditshme të Selisë së Shenjtë. Shifrat ofrojnë një pasqyrë të re mbi financat e Vatikanit, ndërsa Papa, i zgjedhur në maj 2025 pas vdekjes së Françeskut, përballet me sfidën e reduktimit të deficiteve buxhetore shumëvjeçare.
Kryepeshkopi Giordano Piccinotti, president i APSA-s, tha se përparësia nuk ishte maksimizimi i fitimeve, por ruajtja dhe forcimi i trashëgimisë së Kishës. APSA tha se Vatikani kishte shmangur investimet e rrezikshme vitin e kaluar, me rreth 17 përqind të investimeve të tij në aksione, 32 përqind në obligacione dhe 29 përqind në ar fizik.
Vatikani po mbështetet gjithnjë e më shumë në menaxhimin profesional të pronës
Vatikani ka gjithashtu një portofol të konsiderueshëm pasurish të paluajtshme, duke menaxhuar gati 5,500 prona në të gjithë botën. Fitimi më i madh i pasurisë erdhi nga rivlerësimi i arit, i cili shtoi 40.8 milionë euro në pasurinë neto të Vatikanit. Rritja e vlerës së pasurive të paluajtshme kontribuoi me 39.2 milionë euro të tjera, dhe letrat me vlerë kontribuan me 16.3 milionë euro.
Pasuritë e paluajtshme mbetën burimi kryesor i të ardhurave të rregullta të APSA-s, me 44.5 milionë euro të realizuara në vitin 2025, që është 9.4 milionë euro më shumë se një vit më parë. APSA ia atribuon këtë menaxhimit më efikas, të ardhurave më të larta nga qiraja dhe kostove më të ulëta të mirëmbajtjes.
Departamenti gjithashtu kujtoi programin trevjeçar të nisur në vitin 2025, i cili zgjat deri në vitin 2027, me qëllim shitjen e pasurive të patundshme jo-strategjike. Vatikani është mbështetur gjithnjë e më shumë në menaxhimin profesional të pronave pas një sërë skandalesh, përfshirë një investim të dështuar në Londër që çoi në një gjyq të madh për mashtrim.

