Tuesday, August 4, 2026
HomeLajmeKosovëNdalohen dy infermierë, përvetësuan mbi 2 mijë euro nga pacientët

Ndalohen dy infermierë, përvetësuan mbi 2 mijë euro nga pacientët

Dy infermierë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prizren janë ndaluar nën dyshimin se kanë përvetësuar para nga pagesat e pacientëve për shërbime shëndetësore.

Prokuroria Themelore në Prizren njoftoi se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, kishte pranuar informacione operative se dy punonjës të QKMF-së po përvetësonin mjetet financiare të arkëtuara nga pacientët.

Sipas Prokurorisë, me autorizim të prokurorit të shtetit, hetimet kanë nisur në muajin qershor të këtij viti, ndërsa gjatë tyre janë siguruar dëshmi që krijojnë dyshimin e bazuar se Xh.B., në cilësinë e kryeinfermierit, dhe B.R., në cilësinë e infermierit, gjatë ndërrimeve të natës në QKMF-Prizren, kanë përvetësuar para të inkasuara nga pacientët.

Hetimet dyshojnë se veprat janë kryer në periudha të ndryshme, përkatësisht nga muaji gusht deri në nëntor 2024 dhe nga shkurti deri në dhjetor 2025.

Sipas të dhënave të deritanishme, Xh.B. dyshohet se ka përvetësuar 1,250 euro, ndërsa B.R. 1,032 euro. Shuma totale e mjeteve financiare që dyshohet se janë përvetësuar arrin në 2,282 euro.

Prokuroria vlerëson se me këto veprime të dyshuarit kanë konsumuar elementet e veprës penale “Përvetësimi në detyrë”, sipas nenit 418 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Pas intervistimit, në prani të mbrojtësve, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të vendosë nëse do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit, ndërsa hetimet do të vazhdojnë dhe mund të zgjerohen edhe për periudha të tjera kohore, varësisht nga rezultatet që do të dalin.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram