Policia e Kosovës ka konfiskuar një armë zjarri pasi një person dyshohet se ka shtënë me armë gjatë një ahengu familjar në fshatin Mollopolc të Shtimes.
Sipas Policisë Rajonale të Ferizajt, rasti ka ndodhur të dielën rreth orës 12:00, kur policia ka pranuar informacion për të shtëna me armë zjarri.
Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë identifikuar të dyshuarin me inicialet A.S., 37 vjeç. Ai ka pranuar se kishte shtënë me armë dhe ua ka dorëzuar policisë një pistoletë, si dhe një gëzhojë.
Me urdhër të prokurorit të shtetit është iniciuar rasti për veprat penale “Përdorimi i armës” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”. Pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt hetimore.
Policia Rajonale e Ferizajt u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos përdorin armë zjarri gjatë ahengjeve familjare dhe festimeve, duke theksuar se veprime të tilla rrezikojnë jetën dhe sigurinë e të tjerëve.
Sipas policisë, çdo rast i përdorimit të armëve do të trajtohet në përputhje me dispozitat ligjore, ndërsa qytetarët inkurajohen të raportojnë çdo rast të dyshimtë në numrin 192 ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”.

