Tuesday, August 4, 2026
HomeLajmeKosovëZjarr në shtëpinë e familjes Berisha në Zveçan, policia nis hetimet

Zjarr në shtëpinë e familjes Berisha në Zveçan, policia nis hetimet

Një zjarr ka përfshirë gjatë natës shtëpinë e familjes Berisha në Zveçan, e cila ishte kthyer në pronën e saj pas 28 vitesh. Policia ka nisur hetimet për zjarrvënie, ndërsa familja dyshon se zjarri ishte i qëllimshëm.

Rasti është raportuar rreth mesnatës, ndërsa policia dhe zjarrfikësit kanë intervenuar menjëherë në vendin e ngjarjes.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Erduan Baliqi, ka konfirmuar se alarmi për zjarrin është dhënë rreth orës 00:10.

“Mbrëmë në mesnatë, rreth orës 00:10, një banor në një lagje në Zveçan ka vërejtur një zjarr në shtëpi”, ka deklaruar Baliqi.

Sipas tij, ekipet emergjente kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin.

“Menjëherë Policia dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë lokalizuar zjarrin”, ka bërë të ditur ai.

Baliqi ka njoftuar se rasti është trajtuar nga njësitë përkatëse, ndërsa Prokurori kujdestar ka kërkuar që të iniciohen hetimet për zjarrvënie.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë. Prokurori kujdestar ka udhëzuar që rasti të iniciohet për zjarrvënie. Deri më tani rasti mbetet në hetim, ndërsa ende nuk dihen arsyet e zjarrvënies”, ka deklaruar për mediat Baliqi.

Ndërkohë, familjarja Zana Berisha ka shprehur dyshimet e familjes se zjarri mund të ketë qenë i qëllimshëm.

“Natën e kaluar tentuan të na djegin shtëpinë, por fatmirësisht një pjesë e madhe e shtëpisë ka shpëtuar”, ka thënë ajo.

Ajo ka theksuar se incidenti nuk do ta ndryshojë vendimin e familjes për të vazhduar jetën në pronën e tyre.

“Kjo për ne nuk do të thotë asgjë, nuk do të zmbrapsemi, pasi jemi në rrugën tonë të drejtë. Kjo ka ndodhur sepse ne nuk jemi 24 orë këtu”, është shprehur Berisha.

Sipas saj, familja ka mbështetjen e institucioneve dhe planifikon të ndërhyjë për riparimin e dëmeve.

“Kemi përkrahjen e institucioneve tona dhe ne do të vazhdojmë edhe më fuqishëm dhe shtëpinë do ta rinovojmë”, ka deklaruar Zana Berisha.

Hetimet për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit janë duke vazhduar.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram