Gazetari serb Rade Radovanoviq rikthen në vëmendje krimet e luftës në Kosovë, duke i lidhur ato me deklaratat e fundit të ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila tha se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën. Ai kujton se ideja e spastrimit etnik ishte artikuluar publikisht edhe nga Vojisllav Shesheli para bombardimeve të NATO-s, kur deklaroi se “shqiptarë në Kosovë nuk do të ketë”.
Radovanoviq thekson se gjatë viteve 1998–1999 më shumë se 863 mijë shqiptarë u dëbuan nga Kosova, ndërsa mijëra civilë u vranë në masakra si ato në Bellacërkë, Krushë të Madhe e të Vogël, Suharekë dhe Gjakovë. Ai rikujton se për këto krime u dënuan disa gjeneralë serbë në Tribunalin e Hagës, ndërsa Millosheviqi vdiq para përfundimit të procesit gjyqësor.
Autori ndalet veçanërisht te masakra në lokalin “Panda” në Pejë më 14 dhjetor 1998, ku u vranë gjashtë të rinj serbë, raporton “Danas”. Pas kësaj ngjarjeje u arrestuan 34 shqiptarë, të cilët, sipas dëshmive, u torturuan rëndë nga policia serbe. Në këtë kontekst ai sjell dëshminë e Dafina Gashit, vajzës së mjekut Xhevat Gashi, i cili kishte ekzaminuar të arrestuarit dhe kishte dokumentuar shenjat e torturës. Familja e tij dyshon se ai u rrëmbye dhe u vra nga strukturat e aparatit shtetëror serb.
Në fund, Radovanoviq kujton se sipas të dhënave të organizatave relevante, gjatë luftës në Kosovë u vranë ose u zhdukën 13.535 persona, prej tyre mbi 10.800 shqiptarë dhe më shumë se 1.130 fëmijë, duke theksuar se këto fakte nuk duhet të harrohen dhe se e vërteta për krimet duhet të pranohet.
Ndiqeni të plotë kolumnen e publicistit Rade Radovanović publikuar në informativen beogradase “Danas”. 
Nga vrasja në kafenenë “Panda” në Pejë deri te varrezat masive pranë Beogradit
Rade Radovanović
Pak para fillimit të bombardimeve të NATO-s, Vojislav Shesheli, zëvendëskryeministër i fuqishëm i qeverisë së koalicionit SPS-SRS-JUL dhe më vonë i dënuar për krime lufte, deklaroi: “Nëse vjen deri te bombardimet nga NATO-ja, nëse vjen deri te agresioni amerikan, ne serbët do të pësojmë shumë, por shqiptarë në Kosovë nuk do të ketë!”
Më befasoi statistika e Google-it: teksti “Pastruesja etnike nga motive të ulëta”, të cilin e publikova në gazetën DANAS dhe në Facebook më 17 korrik, pati më shumë se 318 mijë shikime, mbi 31 mijë klikime dhe afro 520 komente. Në atë kolumnë, reagim ndaj deklaratës së ministres tashmë “të famshme” Snezhana Paunoviq, e cila tha se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998, nuk zbulova asgjë të re që nuk e kisha shkruar më parë në librin tim “Buzëqeshje nën varje – Gjithçka që keni dashur të mos dini për luftën në Kosovë”. Asgjë e re, por reagimet ishin si valë cunami.
Komentet ishin kryesisht pozitive dhe plot lavdërime kur vinin nga Kosova dhe nga shqiptarët nëpër botë. Në anën tjetër, nga Serbia dhe nga serbët në Bosnje e Hercegovinë dhe në vendet e BE-së kishte edhe kritika, edhe lavdërime, por edhe shumë kërcënime dhe fyerje vulgare. Edhe një herë u binda se në “tokat serbe” komploti i heshtjes është ligj, ndërsa e Vërteta, sidomos kur shprehet me shifra, konsiderohet fakt armik.
Cilat ishin këto fakte numerike për spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë? I theksova qartë se Millosheviqi dhe shumë bashkëpunëtorë të tij në ushtri, polici, kishë, akademi, media e kulturë, së bashku me SPS-in, SRS-in, JUL-in dhe vullnetarët paramilitarë, bënë gjithçka që ishte e mundur për ta “pastruar Kosovën nga shqiptarët” dhe për të lënë vetëm “shqiptarët e ndershëm”, siç i quante me përkëdhelje Slloba.
Policia serbe dhe Ushtria Jugosllave, së bashku me dhjetëra formacione vullnetare dhe paramilitare, gjatë viteve 1998–1999 dëbuan nga Kosova më shumë se 863.000 shqiptarë drejt Maqedonisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë – eksodi më i madh i këtij lloji në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.
Për këtë, ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka thënë: “Kosova e përjetoi këtë fat si rezultat i politikës shumëvjeçare të gabuar të Beogradit ndaj Kosovës, por edhe për shkak të tentimit për spastrimin etnik të Kosovës në vitin 1999. Mjafton të hapen arkivat e shërbimeve serbe, nëse nuk janë shkatërruar të gjitha, për të parë se ka ekzistuar një plan i mirëfilltë i inxhinierisë etnike, sipas të cilit shqiptarët do të dëboheshin dhe do të fshiheshin gjurmët e jetës së tyre në Kosovë, përfshirë edhe kartelat shëndetësore.”
Pak para bombardimeve të NATO-s, Vojislav Shesheli deklaroi se në rast të ndërhyrjes së NATO-s “shqiptarë në Kosovë nuk do të ketë”. Në një fjali ishte përmbledhur thelbi i strategjisë shtetërore dhe kombëtare serbe.
Duke iu përgjigjur komenteve për tekstin tim, veçoj pyetjen e Igor-it, student nga Kragujevci, i cili më shkroi se beson në të vërtetën e asaj që kam shkruar për luftën në Kosovë, por më pyeti “çfarë mendoj për Memorandumin për Kosovën dhe Metohinë të miratuar nga studentët në bllokadë”.
I thashë se studentët janë bërë forca më e madhe politike në Serbi falë mençurisë, guximit dhe këmbënguljes së tyre, por se kanë edhe mangësi. Njëra prej tyre është mungesa e solidaritetit me viktimat e regjimit dhe me studentët që nuk pranojnë direktivat e plenumeve. Po ashtu u thashë se shumica e serbëve nuk e njohin të vërtetën për luftën në Kosovë, sepse ajo është fshehur sistematikisht.
Ndërkohë më shkroi Dafina Gashi – Draga, asambliste në Kuvendin Komunal të Pejës dhe anëtare e Komitetit për Komunitete: “Jam vajza e dr. Xhevat Gashit nga Peja, mjek humanist i vrarë më 20 janar 1999. Prej vitesh përpiqem të mësoj të vërtetën për vrasjen e tij. Më intereson shumë edhe rasti ‘Panda’, sepse besoj se shumë ngjarje të asaj periudhe janë të lidhura dhe familjet e viktimave ende presin përgjigje.”
Rasti “Panda”, për të cilin kam shkruar në librin tim, lidhet me masakrën e ndodhur më 14 dhjetor 1998 në kafenenë “Panda” në Pejë.
Dy persona me uniforma të zeza dhe maska hynë me forcë në lokal dhe hapën zjarr me armë automatike ndaj të rinjve serbë që ndodheshin aty. U vranë Ivan Obradoviq, Ivan Radeviq, Dragan Trifunoviq dhe Vladeta Gvozdenoviq, ndërsa Zoran Stanojeviq dhe Sveto Ristiq vdiqën më vonë në spital. Të gjithë ishin vetëm 17 vjeç.
Pas krimit nuk u zhvillua menjëherë hetim, por nisi një fushatë arrestimesh ndaj shqiptarëve në Pejë. U arrestuan 34 shqiptarë, të cilët sipas dëshmive iu nënshtruan torturave të rënda në stacionin policor.
Dafina më shkroi se babai i saj, dr. Xhevat Gashi, si mjek kujdestar kishte ekzaminuar shqiptarët e arrestuar dhe kishte parë me sytë e tij pasojat e torturave. Ai u kishte treguar familjarëve se të arrestuarit ishin në gjendje shumë të rëndë dhe me shenja të dukshme të dhunës sistematike.
Ajo shton se ekzistojnë dyshime se babai i saj është rrëmbyer dhe vrarë nga struktura të lidhura me aparatin shtetëror serb, por edhe pas më shumë se 27 vjetësh familja ende nuk ka marrë përgjigje.
Fillimi i bombardimeve të NATO-s shënoi përshkallëzimin e vrasjeve individuale, ekzekutimeve masive dhe spastrimit etnik të shqiptarëve nga Kosova.
Në Bellacërkë u vranë mbi 60 civilë shqiptarë. Në Trnje dhjetëra të tjerë. Në Krushë të Vogël dhe Krushë të Madhe, ushtria dhe policia sulmuan fshatrat, dëbuan gratë dhe fëmijët drejt Shqipërisë, ndërsa burrat i vranë dhe më pas dogjën trupat e tyre.
Në Suharekë, pjesëtarë të policisë serbe mblodhën dhjetëra gra e fëmijë në picerinë “Kalabria” dhe i masakruan me armë automatike dhe granata. U vranë 48 persona, shumica anëtarë të familjes Berisha.
Në Gjakovë, më 2 prill 1999, tre policë serbë hynë në shtëpinë e Lulje Vejsës, ku ishin strehuar gra dhe fëmijë shqiptarë. Ata i nxorën nga bodrumi dhe hapën zjarr mbi ta. U masakruan dymbëdhjetë fëmijë, shtatë gra dhe një burrë me aftësi të kufizuara mendore. I vetmi që mbijetoi ishte Dren Caka, dhjetëvjeçar.
Gjatë operacionit “Reka”, më 27 dhe 28 prill 1999 në rajonin e Gjakovës, u vranë mbi 350 shqiptarë, kryesisht të rinj. Qindra shtëpi u plaçkitën dhe u dogjën, ndërsa rreth 4.000 civilë u dëbuan drejt Shqipërisë.
Akademiku Dobrica Qosiq, pasi mësoi për këto krime, shkroi në ditarin e tij se nëse urdhri për spastrimin etnik kishte ardhur nga komanda supreme, atëherë përgjegjësit duhej të gjykoheshin për krime lufte dhe gjenocid ndaj popullit shqiptar.
Për krimet e kryera në Kosovë u gjykuan në Tribunalin e Hagës gjeneralët serbë Dragoljub Ojdaniq, Nebojsha Pavkoviq, Vladimir Lazareviq, Sreten Lukiq dhe Vlastimir Gjorgjeviq.
Për ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe spastrimin etnik në Kosovë u gjykua edhe Sllobodan Millosheviqi, por ai vdiq në paraburgimin e Tribunalit në mars të vitit 2006 para se të shpallej vendimi.
Për fund, që të mos harrohet: Sipas të dhënave të verifikuara të organizatave relevante joqeveritare, gjatë luftës në Kosovë u vranë ose u zhdukën 13.535 persona. Prej tyre: 10.812 (80%) ishin shqiptarë; 1.197 (16%) ishin serbë; 526 ishin të nacionaliteteve të tjera.
Nga numri i përgjithshëm i viktimave, 10.317 ishin civilë: 8.676 shqiptarë; 1.196 serbë; 445 persona të nacionaliteteve të tjera. Mbi 1.130 viktima në Kosovë ishin fëmijë. Që të dihet dhe të mbahet mend.

