Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka publikuar raportin 24-orësh, sipas të cilit prokuroritë themelore në Kosovë kanë ngritur gjithsej 53 aktakuza ndaj 65 personave për vepra të ndryshme penale.
Gjatë së njëjtës periudhë, me urdhër të prokurorëve janë ndaluar 24 persona për 48 orë, ndërsa janë paraqitur tri kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit për tre persona.
Prokuroria Speciale ka paraqitur një kërkesë për paraburgim ndaj një personi të dyshuar për veprën penale “Krime lufte”.
Sipas raportit, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka regjistruar numrin më të madh të aktakuzave, me 21 aktakuza ndaj 23 personave, si dhe ka ndaluar gjashtë persona dhe ka kërkuar paraburgim për një të dyshuar. Veprat penale përfshijnë lëndime trupore, vjedhje, posedim të paautorizuar të armëve, dhunë në familje, mashtrim dhe rrezikim të trafikut publik.
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur 16 aktakuza ndaj 19 personave dhe ka ndaluar 11 persona të dyshuar për vepra të ndryshme penale, përfshirë dhunë në familje, kanosje, sulm, lëndim trupor dhe përvetësim në detyrë.
Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur 14 aktakuza ndaj 20 personave, ndërsa veprat penale përfshijnë vjedhje të shërbimeve, vjedhje pylli, posedim të narkotikëve, uzurpim të paligjshëm të pronës publike, pengim të personit zyrtar, mashtrim, dhunë në familje dhe rrezikim të trafikut publik.
Në Pejë, gjatë 24 orëve është ndaluar një person i dyshuar për posedim të paautorizuar të armëve.
Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ndaluar gjashtë persona, ka paraqitur një kërkesë për paraburgim për një të dyshuar për dhunë në familje dhe ka ngritur dy aktakuza ndaj tre personave për veprat penale sulm dhe vjedhje.
Sipas raportit të Prokurorit të Shtetit, gjatë kësaj periudhe nuk janë raportuar bastisje apo sekuestrime nga prokuroritë.

