Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka miratuar me shumicë votash shpalljen e konkursit për rekrutimin e 34 prokurorëve të rinj të shtetit, në përpjekje për të forcuar kapacitetet e sistemit prokurorial në vend.
Sipas vendimit të KPK-së, 24 pozita do të jenë të hapura për konkurrim të përgjithshëm, ndërsa 10 pozita do të rezervohen për përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë, përfshirë komunitetin serb.
Gjatë mbledhjes u bë e ditur se konkursi do të shpallet më 17 gusht, ndërsa procesi i aplikimit dhe përzgjedhjes do të zhvillohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Kryetari i Këshillit Prokurorial, Arian Gashi u bëri thirrje pjesëtarëve të komunitetit serb që të aplikojnë, duke theksuar se përfaqësimi i të gjitha komuniteteve në sistemin e drejtësisë është i rëndësishëm dhe duke garantuar një proces të drejtë.
“I inkurajoj të gjithë pjesëtarët e komunitetit serb të aplikojnë dhe garantoj se do të jetë një proces transparent, i drejtë dhe i paanshëm”, tha Gashi.
Në të njëjtën mbledhje, Këshilli Prokurorial emëroi edhe Komisionin për rekrutimin e prokurorëve të rinj, i cili do të mbikëqyrë të gjitha fazat e procesit të përzgjedhjes.
Kryesues i komisionit do të jetë kryetari i Këshillit Prokurorial, ndërsa anëtarë u emëruan Elza Bajrami-Kastrati, anëtare e Këshillit Prokurorial, Dardan Mulliqi, anëtar joprokuror i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe prokurori Valdrin Krasniqi nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Si anëtarë rezervë të komisionit u caktuan prokurorët Visar Krasniqi dhe Milot Krasniqi.
Vendimet për shpalljen e konkursit dhe përbërjen e komisionit u miratuan me votë unanime nga anëtarët e Këshillit Prokurorial.

