tsh
Ministria e Brendshme e Shqipërisë shpalli “non grata” dy shtetas nga Maqedonia e Veriut, ndaj të cilëve ka të dhëna për veprimtari në dëm të shtetit shqiptar.
Mediat raportojnë se vendimi është marrë pas propozimit të njësisë antiterror në Policinë e Shtetit, ndërsa është dhënë konfirmimi nga Ministria e Brendshme, e cila ka shpallur “non grata” Valon Beljan, ose Valjon Belën dhe Bekir Halimin me shtetësi të Maqedonisë së Veriut.
Një ditë më parë, ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari tha se ka firmosur vendime për persona të cilët, bazuar në vlerësimet e agjencive të inteligjencës dhe zbatimit të ligjit, përbëjnë kërcënim për sigurinë e vendit. Ministri theksoi se bëhet fjalë për persona me tendenca ekstremiste dhe veprimtari që konsiderohen shqetësuese.
Disa javë më parë, Ministria e Brendshme vendosi të shpallë “non grata” edhe shtetasen Ikballe Huduti, duke i ndaluar hyrjen në vend për një periudhë prej 15 vitesh.

