Bashkëkryetarja e Listës Guxo, Donika Gërvalla, ka deklaruar para nisjes së seancës së sotme konstituive të Kuvendit të Kosovës se situata aktuale politike, ku ende nuk ka marrëveshje ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk i pëlqen askujt.
Gërvalla tha se pret që legjislatura e re të sjellë zhvillime të rëndësishme për vendin, duke përmendur rritjen ekonomike dhe reformat në sistemin e drejtësisë.
“Është situatë e cila nuk i pëlqen kërkujt, aq më pak votuesve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës. Jam plot optimizëm që kjo legjislaturë do të jetë legjislaturë e zhvillimit të madh ekonomik, e reformave të thella në fushën e drejtësisë, si dhe e zhvillimeve të mira për vendin tonë dhe për qytetarët tanë”, tha Gërvalla para mediave.
Ajo ka shprehur bindjen se institucionet e reja do të fokusohen në përmirësimin e gjendjes në vend dhe në realizimin e pritjeve të qytetarëve.

