Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës se nuk sheh arsye që procesi i sotëm të mos zhvillohet me sukses.
Hamza tha se në seancën e sotme pritet të zgjidhet kryetari ose kryetarja e Kuvendit, nënkryetarët, si dhe deputetët të japin betimin, duke e cilësuar këtë si rëndësinë kryesore të ditës.
“Nuk shoh arsye që seanca të mos ketë mbarëvajtje, të mos konstituohet. Të gjitha kushtet janë që seanca të konstituohet dhe ne të procedojmë tutje”, ka thënë Hamza para mediave.
Sipas tij, partia me numrin më të madh të ulëseve në Kuvend duhet të marrë përgjegjësitë që i takojnë për funksionalizimin e institucioneve.
Kreu i PDK-së ka theksuar se qëndrimi i kësaj partie mbetet i pandryshuar, duke insistuar se prioritet kanë qenë programet dhe politikat, e jo ndarja e pozitave institucionale.
“Ne nuk kemi garuar se kush do të bëhet në cilën pozitë. Kemi kërkuar votat e qytetarëve me një program për ekonominë, drejtësinë, energjinë, infrastrukturën dhe anëtarësimet. Këto kanë qenë temat”, ka deklaruar ai.

