Besnik Tahiri, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në prag të nisjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, tha se vendi nuk ka më energji për, siç i quajti ai, pazare politike.
Ai tha se seanca është e vonshme dhe konstituimi i Kuvendit do të duhej të ndodhte menjëherë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor.
“Kosova nuk ka as kohë e as energji me humb me lojëra dhe pazare politike. AAK padyshim që do të ndihmojë në konstituimin e institucioneve, por që ne kemi një qëndrim publik politik i cili nuk ndërlidhet me çështje që duam apo synojmë të kemi hise në Qeveri. Brenga jonë është se Kosova po shkon prapa dhe po degradohet”, tha ai.
“VV ka shumicën e vet dhe ne nuk jemi as pjesë e një diskutimi apo marrëveshje. Qëndrimi ynë është i thjeshtë, mos e bllokoni Kosovën”, tha Tahiri.

