Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë njoftuar se deklaratat përmbyllëse në çështjen “Prokurorja e Specializuar kundër Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit” do të mbahen më 10, 11 dhe 14 shtator 2026, duke filluar nga ora 09:30, sipas orës së Evropës Qendrore.
Sipas njoftimit, seancat do të jenë publike dhe do të mund të ndiqen në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze përmes transmetimit në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara, si dhe nga galeria për publikun në ambientet e gjykatës.
Për pjesëmarrje në galerinë për publik kërkohet regjistrim paraprak. Regjistrimi është i nevojshëm edhe për gazetarët që dëshirojnë të incizojnë seancat nga qendra e medias.
Afati i fundit për regjistrim është 14 gusht 2026, në orën 18:00, ndërsa konfirmimi i pjesëmarrjes do të dërgohet me email dy javë para fillimit të deklaratave përmbyllëse.
Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se incizimi audiovizual i deklaratave përmbyllëse do të publikohet edhe në kanalin zyrtar të tyre në YouTube.
Sipas njoftimit, gjykimi ka hyrë në fazën përfundimtare, pasi më 5 gusht 2026 Gjykatësi i Vetëm mbylli procedurën e paraqitjes së provave dhe caktoi datat për deklaratat përmbyllëse.
Në këtë rast, Hashim Thaçi dhe katër të bashkëakuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë dhe mosbindjen ndaj gjykatës. Gjykimi kishte nisur më 27 shkurt 2026

