Friday, August 7, 2026
HomeLajmeKosovëReagim i shpejtë i policisë në Ferizaj, parandalohet një rast i vetëlëndimit

Reagim i shpejtë i policisë në Ferizaj, parandalohet një rast i vetëlëndimit

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arritur të parandalojë një rast të mundshëm të vetëlëndimit në Ferizaj, duke shpëtuar një person i cili dyshohej se po tentonte t’i bënte keq vetes dhe kishte me vete një armë zjarri.

Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur më 6 gusht 2026, rreth orës 18:26, kur Stacioni Policor në Ferizaj është njoftuar se në Parkun e Lirisë ndodhej një person mashkull, rreth 31 vjeç, në një situatë të rrezikshme.

Pas pranimit të informacionit, pjesëtarët e Qendrës së Komunikimit Rajonal kanë kontaktuar menjëherë me personin dhe kanë mbajtur komunikim të vazhdueshëm me të, me qëllim qetësimin e situatës dhe bindjen e tij që ta largonte armën dhe ta vendoste në një vend të sigurt deri në arritjen e njësive policore.

Në vendin e ngjarjes kanë reaguar njësitet e Stacionit Policor në Ferizaj, të cilat kanë arritur të qetësojnë situatën dhe ta largojnë armën e zjarrit, një pistoletë, të cilën personi e kishte pranë vetes në një stol pushimi.

“Falë komunikimit të vazhdueshëm dhe reagimit të shpejtë të policisë, personi është larguar nga zona e parkut dhe është vendosur në një vend të sigurt. Më pas, ai është shoqëruar në Stacionin Policor në Ferizaj, ku i është ofruar ndihmë mjekësore dhe trajtim nga ekipi i Emergjencës”, thuhet në njoftimin e policisë.

Për rastin janë njoftuar prokurori i shtetit dhe familjarët e personit.

Policia ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me Sektorin Rajonal të Hetimeve, ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për trajtimin e rastit, ndërsa ka konfiskuar armën e zjarrit së bashku me gjashtë fishekë.

“Policia mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së të gjithë qytetarëve”, thuhet në njoftim, ku është falënderuar edhe ekipi emergjent i Spitalit të Ferizajt për reagimin e shpejtë dhe trajtimin profesional.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram