Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar si një strategji politike të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të fituar kohë dhe për të siguruar kontroll mbi institucionet kryesore të vendit.
Tahiri tha se nuk ka arsye për kërkesa të reja për kohë, pasi sipas tij, Kurti ka pasur 30 ditë në dispozicion për të zhvilluar bisedime me partitë politike lidhur me mundësinë e një marrëveshjeje për çështjen e presidentit.
“Na duhet ende kohë”, ka cituar Tahiri deklarimin e Kurtit, duke shtuar se kjo kërkesë vjen pas një periudhe të mjaftueshme për diskutime politike. “Po a po të merr mendja, burrë, kohë 30 ditë me i diskutuar me partitë politike për me ardhur te një marrëveshje politike?!”, u shpreh ai.
Sipas Tahirit, çështja kryesore që kërkon zgjidhje politike nuk është vetëm formimi i qeverisë apo funksionalizimi i Kuvendit, por edhe zgjedhja e presidentit të vendit.
“Nyja më kryesore nuk është te qeveria, nuk është te kuvendi, është te presidenti, por e keni neglizhuar deri këtë ditë”, deklaroi ai.
Ai ngriti gjithashtu dyshime se mund të krijohet një situatë që do të çonte sërish çështjen në Gjykatën Kushtetuese dhe do të shtynte procesin e konstituimit të Kuvendit.
“A i ka dhënë me procesuar, me krijuar edhe një rast Gjykate Kushtetuese që ende me e shtyrë procesin e konstituimit?!”, tha Tahiri.
Ai e cilësoi situatën si papërgjegjësi politike nga subjekti që ka fituar zgjedhjet, duke pretenduar se synimi është marrja e tri institucioneve kryesore të shtetit.
“Kjo është papërgjegjësi totale e partisë që i ka fituar zgjedhjet. Është shkurt edhe shqip taktike me marrë në pazar politik, me marrë edhe pak kohë, me blerë edhe pak kohë në mënyrë që me u marrë të tria institucionet”, tha ai.
Tahiri bëri të ditur se Aleanca ka një qëndrim të qartë dhe ka paraqitur gjashtë kërkesat e saj, për të cilat sipas tij nuk është zhvilluar asnjë diskutim.
“Aleanca e ka qëndrimin publik, i ka të paraqitura propozimet dhe kërkesat të cilat janë të njohura si 6 kërkesat e Aleancës. Asnjë fjalë nuk është folur për to”, theksoi ai.
Duke folur për afatet kushtetuese, Tahiri tha se sipas interpretimit të tij, afati 30-ditor tashmë ka përfunduar, ndërsa shtoi se ekzistojnë edhe interpretime të tjera që lidhen me momentin e certifikimit të rezultateve dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Nuk kemi të bëjmë me një problem kushtetues. Këtu ka problem me një logjikë autoritare për me mundur me i marrë të tri pushtetet: presidentin, qeverinë dhe kuvendin”, deklaroi Tahiri.
Ai insistoi se Kosova nuk ndodhet në një krizë kushtetuese, por në një situatë politike që, sipas tij, po zvarrit funksionalizimin e institucioneve.
“Kjo nuk ka të bëjë me krizë kushtetuese, kjo ka të bëjë me tendencë të vazhdimit, të lodhjes, por ne nuk do të lodhemi”, përfundoi Tahiri.

