Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas takimit me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, deklaroi se janë shumë larg një marrëveshjeje politike dhe se nuk sheh asnjë arsye për vonimin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se vendi është në kufijtë e afatit kushtetues.
“Sot duhet të ketë seancë dhe duhet të konstituohet Kuvendi. Nuk duhet të futemi në paqartësi kushtetuese”, u shpreh Abdixhiku.
Ai theksoi se përgjegjësia për sigurimin e rrjedhës normale të institucioneve i takon partisë së parë, Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa shtoi se me kalimin e kohës mundësia për arritjen e një marrëveshjeje politike po zvogëlohet.
“Sa më shumë që po vonohemi, natyrisht dhe marrëveshja bëhet më pak e mundur. Nuk kam lajme të reja, por mund t’ju them se jemi shumë, shumë, shumë larg ndonjë marrëveshje eventuale dhe nuk pres që të ndryshojë pa ndryshuar pozicionet politike të partive politike”, deklaroi ai.
Sipas Abdixhikut, LDK-ja e konsideron të domosdoshme ruajtjen e balancës institucionale, duke theksuar se pa këtë balancë nuk mund të ketë një marrëveshje politike të qëndrueshme.
“Por në qoftë se qëndrojnë pozicionet e njëjta si të dhjetorit, atëherë përfundimi është i njëjtë siç e kemi pasur deri më tani”, tha ai.
Abdixhiku shtoi se LDK-ja ka hyrë në proces me vullnet për të gjetur një zgjidhje, por paralajmëroi se nëse tejkalohen afatet kushtetuese, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja.
” Qëllimi im dhe i LDK-së ka qenë të gjendet zgjidhja. Pra jo të merremi kush kë po e mund, kush kë po e mashtron, kush kë po e vonon. Çështja është t’i japim Republikës së Kosovës dhe qytetarëve tanë institucionet e reja, por në këtë pikë, me keqardhje të madhe, po them se jemi praktikisht në një rrugë që s’zgjedh, nuk jep zgjidhje afatgjate”, nënvizoi Abdixhiku.
Ai ka thënë se pengesë për marrëveshje është çështja e presidentit.
“LDK ka kërkuar që presidenti të propozohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, natyrisht që emrat të diskutohen me partnerin tonë. Dhe në këtë pikë nuk kemi pasur dakordancë. Edhe njëherë, pozicionimi ose oferta e dhjetorit, të cilën tashmë e keni të qartë, që LDK-ja të marrë jo vetëm kryetarin e Kuvendit, por zëvendëskryeministrin dhe disa ministri, nuk qëndron, nuk është e mjaftueshme, nuk është e dinjitetshme për të dhënë zgjidhje për krizën në të cilën jemi tani. Prandaj s’mund ta trajtojmë me seriozitet, s’mund ta pranojmë si të tillë. Në qoftë se e doni LDK-në në qeverisje, në institucione, atëherë LDK-ja duhet të jetë e përfaqësuar”, tha ai.
Tutje kreu i LDK-së ka thënë se kryeministri nuk u takon sepse është vullneti i popullit të Kosovës që partia e parë ta marrë këtë pozicion.
“Në momentin që pajtohemi që propozoimi për president të vij nga LDK, atëherë bashkë me zotin Kurti dhe LVV-në e caktojmë atë emër. Pra, nuk po themi na jepni neve mbështetje blanko dhe ne në seancë vijmë me dy emra dhe i shihni për herë të parë. Jo, jo i flasim sepse po flasim për presidentin e Kosovës”, tha ai duke thënë se partia e tij kërkon kompromis për çështjen e presidentit.
Sipas tij, nëse kjo s’mund të arrihet, atëherë ai ka thënë me keqardhje se LDK-ja edhe s’mund të kontribuojë më tepër në bisedime dhe takime, dhe se nuk sheh arsye të vazhdojnë tutje me diskutime.

