Kryeministri në detyrë dhe njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti pas takimit të radhës me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se ka një dallim drastik mes rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të LDK-së në tavolinën e bisedimeve për konstituimin e institucioneve të reja.
Ai ka thënë se si LVV kanë vullnet për të qeverisur së bashku me LDK-në, por ka theksuar se këtë duan ta bëjnë në përputhje me balancin zgjedhor.
“Ajo çfarë prej neve kërkohet është marrëveshje politike mbi vullnetin popullit, mbi vullnetin demokratik. Pra, pikënisja jonë është vullneti demokratik. Nuk do të duhej që në mënyrë politike të bëjmë balancin demokratik, sepse balanci demokratik është tashmë i normuar përbrenda kushtetutshmërisë së Republikës së Kosovës”, tha Kurti.
Ai tha se jemi në situatë ku ka ambicie dhe apetite që LDK ta ketë presidentin e Republikës, ndonëse për të aplikuar për president të republikës nevojiten 30 nënshkrime.
“Pra edhe për aplikim duhet 30 nënshkrime, e për t’u zgjedhur duhet 61. Ka shpërputhje të madhe midis rezultatit përkatës dhe ambicieve konkrete dhe ky është problemi i mosarritjes së marrëveshjes politike deri më tani”, shtoi Kurti.
Kurti: Kur s’ka marrëveshje për president, kemi zgjedhje të reja
“Nuk është në çështje konstituimi i Kuvendit nga legjislatura e 11-të në kuptim të çfarëdo dileme. Ne i kemi 62 deputetë, ne e kemi mundësinë që menjëherë ta zgjedhim kryetarin dhe kryesinë e Kuvendit, të më rizgjedhin mua kryeministër. Por nëse nuk e kemi të zgjedhur çështjen e presidentit, po shkojmë përsëri drejt zgjedhjeve të reja”, tha Kurti.
“Nëse nuk ka marrëveshje për president, e kotë është zgjedhja e kryesisë së Kuvendit, kryetarit të Kuvendit e Qeverisë. Pa marrëveshje për president, kemi zgjedhje të reja”, tha kreu i LVV-së.
Kurti: Si Lëvizje Vetëvendosje, s’mund të bëjmë marrëveshje e cila do ta zëvendësonte vullnetin e popullit
Lideri i VV-së ka thënë se takimi ne Abdixhikun ishte i hapur e i sinqertë. “Diskutuam për mundësitë dhe vështirësitë e konstituimit të institucioneve të legjislaturës së 11-të, meqenëse dje u bë betimi i 120 deputetëve që përfaqësojnë vullnetin e popullit, të shprehur në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Nuk kemi ende marrëveshje politike. Unë jam i bindur që për qëndrueshmëri përpara, që nënkupton edhe evitimin e zgjedhjeve të reja parlamentare, që padyshim, sikurse ato të mëhershmet, do të ishin të panevojshme, të paarsyeshme e që besa edhe të dëmshme për buxhetin e shtetit dhe për ekonominë e vendit, nuk është e mundur ndryshe përveçse pa marrëveshje për çështjen e zgjedhjes së presidentit apo presidentes së re”, tha ai.
Ai tha se në kushtet kur zgjidhet kryetari dhe kryesia e Kuvendit, zgjidhet qeveria e re e Republikës së Kosovës, sërish vihet deri tek problemi i zgjedhjes së presidentit.
“Kjo është një formulë tashmë e provuar dhe me metodë të njëjtë nuk mund të kemi rezultat tjetër fare, andaj kjo do të shpinte pashmangshëm drejt shpërndarjes së Kuvendit. Marrëveshjen politike nuk e kemi ende. Pritjet janë të ndryshme, qëndrimet nuk përputhen dhe është bindja ime që ka një dallim drastik midis rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Rezultati zgjedhor është i tillë çfarë është, ai është vullneti i popullit dhe ne nuk mund të bëjmë, si Lëvizje Vetëvendosje, një marrëveshje e cila do ta zëvendësonte vullnetin e popullit, do ta deformonte rezultatin zgjedhor”, theksoi Kurti.

