Besnik Tahiri, nënkryetari i Aleancës, ka deklaruar se situata e krijuar me moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës përbën, sipas tij, shkelje të rendit kushtetues dhe mosrespektim të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Grupi parlamentar i Aleancës u ka dërguar kërkesë grupeve të partive të tjera që të thërrasin seancë të jashtëzakonshme sonte në ora 22:30 për vazhdimin e konstituimit të Kuvendit.
“Ajo që jemi duke parë dhe ajo që jemi dëshmitarë është, shkurt e shqip, një shkelje e rendit kushtetues nga partia që i ka fituar zgjedhjet, e cila me veprimet e saja është duke e vendosur një shembull dhe një primat i cili pa asnjë dyshim është rrezik për vendin, duke mos i konstituuar institucionet e Republikës së Kosovës, në këtë rast Kuvendit të Republikës së Kosovës. Shkelja e rendit kushtetues dhe mosrespektimi i aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili është decidit, i cili është shumë i saktë, duke thënë se 30 ditë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet. Pra, nuk ka lënë hapësirë tjetër veçse thotë duhet të konstituohet”, tha ai.
Sipas Tahirit, Aleanca nuk do të lejojë që rendi kushtetues të rrezikohet. Ai bëri me dije se Grupi Parlamentar i AAK-së, në koordinim me grupet e tjera parlamentare, ka paraqitur kërkesë për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme.
“Si grup parlamentar, në diskutime edhe me grupet tjetra parlamentare, kemi një kërkesë për një seancë të jashtëzakonshme e cila duhet të thirret sonte në orën 10:30, në mënyrë që ne me ushtrimin tonë si deputetë të zgjedhur, të betuar në Kuvend, të mblidhemi dhe të kërkojmë prej krijuesit të seancës konstitutive të thërrasë seancën dhe sonte ta kryejmë këtë”, tha Tahiri.

