Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës) ka njoftuar se edhe gjatë ditës së sotme moti do të mbetet kryesisht me diell dhe me temperatura të larta.
Sipas IHMK-së, gjatë orëve të pasdites, në zona të izoluara pritet zhvillim i vranësirave, të cilat lokalisht mund të sjellin reshje shiu dhe stuhi afatshkurtra. Në zonat ku do të ketë reshje, temperaturat mund të pësojnë ulje të përkohshme.
Temperaturat minimale pritet të lëvizin ndërmjet 13 dhe 18 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale ndërmjet 29 dhe 34 gradë Celsius.
Era do të fryjë kryesisht nga verilindja, me intensitet të lehtë deri mesatar dhe shpejtësi prej 1 deri në 6 metra për sekondë. Gjatë zhvillimit të stuhive, sipas IHMK-së, mund të ketë hove të përkohshme të erës me intensitet më të fuqishëm.
IHMK-ja vlerëson se kushtet biometeorologjike do të vazhdojnë të jenë të pafavorshme për shkak të temperaturave të larta dhe indeksit të lartë të rrezatimit ultravjollcë (UV).
Personat me sëmundje kronike, të moshuarit dhe fëmijët këshillohen që të kufizojnë aktivitetet në ambiente të hapura gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Sa i përket kushteve agrometeorologjike, IHMK-ja thotë se mungesa e reshjeve të shpërndara në mënyrë uniforme do të vazhdojë të favorizojë deficitin e lagështisë në shtresën sipërfaqësore të tokës.
Reshjet lokale, sipas institutit, nuk pritet të kenë ndikim të konsiderueshëm në përmirësimin e bilancit ujor për kulturat bujqësore.
Për këtë arsye, fermerëve u rekomandohet të vazhdojnë ujitjen në përputhje me nevojat e kulturave, si dhe të planifikojnë punimet agroteknike jashtë intervalit të temperaturave maksimale.

