Tre persona janë arrestuar në fshatin Rashiq të Pejës, nën dyshimin për përfshirje në veprat penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Tre persona janë arrestuar në fshatin Rashiq të Pejës, nën dyshimin për organizim të lojërave të fatit dhe posedim të paautorizuar të armëve.
Rasti është zbuluar pas informacioneve të pranuara nga Policia e Kosovës, sipas të cilave në një lokal në këtë fshat dyshohej se zhvilloheshin aktivitete të kundërligjshme të lojërave të fatit.
Më 8 gusht, zyrtarët e Sektorit Rajonal për Hetime, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, të asistuar nga Njësia për Reagim të Shpejtë, kanë kryer kontroll dhe bastisje në lokal, me autorizim përkatës ligjor.
Gjatë bastisjes, policia ka sekuestruar një kuti me çipa për lojëra pokeri, një armë automatike të tipit AK-47, një karikator, dhjetë fishekë dhe një mjet të mprehtë.
Tre personat e dyshuar janë arrestuar dhe janë intervistuar nga hetuesit. Pas përfundimit të procedurave fillestare, me vendim të organit kompetent, dy prej tyre janë ndaluar për 48 orë, ndërsa njëri është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti po trajtohet nga organet kompetente, ndërsa Policia e Kosovës ka bërë thirrje për bashkëpunim nga qytetarët në raportimin e rasteve të dyshuara të veprimtarive të kundërligjshme.

