Policia e Kosovës ka realizuar sot në pikën kufitare në Vërmicë ekstradimin nga Shqipëria për në Kosovë të shtetasit mashkull kosovar.
I dyshuari, i cili ndodhej në arrati, u arrestua nga autoritetet e Shqipërisë bazuar në një urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar përmes INTERPOL-it nga institucionet e drejtësisë së Republikës së Kosovës. Ai ishte i shpallur në kërkim për veprën penale “Vrasje“, për të cilën është dënuar me 11 vjet e 6 muaj burgim.
“Ky ekstradim u mundësua falë zbatimit të ligjeve në fuqi dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Republikës së Shqipërisë. Pas përfundimit të procedurave të ekstradimit, i dënuari iu dorëzua njësive përkatëse të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, për procedim të mëtejshëm ligjor dhe dërgim në qendrën korrektuese për vuajtje të dënimit”, thuhet në njoftim.
Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU) tha se “mbetet e përkushtuar të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e aktiviteteve kriminale, si dhe lokalizimin dhe arrestimin e personave apo grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit”.

