Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës, duke ngritur shqetësime për transparencën dhe respektimin e procedurave kushtetuese.
Tahiri ka thënë se është shkelur Kushtetuta, duke iu referuar nenit 66, aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullores së Punës së Kuvendit.
“Sot, dikush që di shkrim e lexim e ka të qartë që neni 66 i Kushtetutës është shkelur, flet për 30 ditë”, ka deklaruar deputeti i AAK-së.
Sipas tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese përcakton se nuk mjafton vetëm nisja e procesit, por duhet të përfundojë edhe konstituimi brenda afatit të përcaktuar.
“Aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese, respektivisht neni 140 që flet për këtë çështje, thotë se nuk trajtohet vetëm nisja si proces, por duhet të ndodhë konstituimi për 30 ditë”, është shprehur Tahiri.
Kritika e tij është shtrirë edhe te mënyra e thirrjes së seancës. Tahiri ka thënë se, sipas Rregullores së Punës së Kuvendit, ajo është dashur të ftohej brenda 48 orësh.
“Këta e kanë shkelur rendin kushtetues me dy këmbët. Krejt kjo është me ble kohë. Po për çka po ju vlen koha, unë nuk e di”, ka deklaruar ai.
Tahiri ka paralajmëruar se vazhdimi i kësaj situate mund ta shtyjë Kosovën drejt zgjedhjeve të reja, duke e cilësuar krizën politike si kërcënim serioz për funksionimin normal të institucioneve.

