Wednesday, August 12, 2026
HomeLajmeKosovëHamza kërkon që Kuvendi të konstituohet sa më shpejt

Hamza kërkon që Kuvendi të konstituohet sa më shpejt

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të thirret urgjentisht në seancë për konstituimin e tij.

Ai ka deklaruar se konstituimi i Kuvendit është detyrim kushtetues dhe nuk duhet të kushtëzohet nga marrëveshjet politike apo interesat elektorale.

“Kuvendi nuk është pronë e Albin Kurtit dhe e Lëvizjes Vetëvendosje. Pushteti duhet ta thërrasë urgjentisht seancën për konstituimin e tij. Konstituimi i Kuvendit është detyrim kushtetues dhe nuk mund të kushtëzohet me marrëveshje politike, kalkulime elektorale apo interesa personale të askujt”, ka shkruar Hamza në Facebook.

Sipas tij, zvarritja e procesit po bëhet për kalkulime politike dhe po e mban vendin në një vakum institucional.

“Albin Kurti po e zvarrit procesin, sepse konstituimi i tashëm i Kuvendit ia prish kalkulimet politike”, ka shkruar tutje ai.

Po ashtu, Hamza ka deklaruar se sa më gjatë të mbahet vendi në këtë vakum institucional, aq më shumë hapësirë krijohet për skenarë të rinj politikë dhe zgjedhorë.

“Kjo është kapje brutale e shtetit, shkelje e Kushtetutës dhe degradim i institucionit të të zgjedhurve të popullit. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë rekomandime që zbatohen vetëm kur i konvenojnë pushtetit. Thirreni seancën. Respektoni Kushtetutën. Kuvendi duhet të konstituohet. Nëse dikush mendon se mund ta mbajë Kosovën në anarki kushtetuese dhe ligjore për t’i realizuar kalkulimet e veta elektorale, gabon rëndë. Kuvendi duhet të konstituohet tash, menjëherë”, ka përfunduar ai. 

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram