Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ka pritur në takim një delegacion nga Ministria e Punëve të Jashtme e Bangladeshit, të udhëhequr nga sekretari Nazrul Islam.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, takimi është zhvilluar në prag të raundit të dytë të konsultimeve politike ndërmjet Kosovës dhe Bangladeshit, të cilat kësaj radhe po mbahen në Prishtinë.
Gjatë takimit, Ahmeti ka falënderuar Islamin për mbështetjen e vazhdueshme të Bangladeshit ndaj Kosovës, duke vlerësuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.
Bashkëbiseduesit kanë diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, me theks të veçantë në ekonomi, teknologji informative dhe tregti.
Po ashtu, janë shkëmbyer pikëpamje mbi zhvillimet aktuale politike në të dyja vendet.
Ahmeti ka shprehur gatishmërinë e Kosovës për të avancuar më tej marrëdhëniet me Bangladeshin dhe për të zgjeruar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët.

