Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës pritet të mblidhet sot në orën 14:00.
Në këtë takim pritet të diskutohen zhvillimet e fundit politike në vend, ndërsa një nga çështjet kryesore në agjendë pritet të jetë edhe posti i presidentit të Kosovës.
LDK-ja ka shprehur më herët interesimin që kjo pozitë t’i takojë kësaj partie. Deputetë të saj kanë deklaruar se zgjedhja e presidentit mbetet një çështje me rëndësi për subjektin politik, veçanërisht në kuadër të zhvillimeve aktuale institucionale.
Mbledhja e grupit parlamentar vjen në një kohë kur skena politike në Kosovë është përfshirë në diskutime të shumta rreth funksionimit të institucioneve dhe tejkalimit të ngërçit politik.

