Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar kërkesën që vazhdimi i seancës konstituive të mbahet nesër, më 14 gusht.
Deputeti i kësaj partie , Përparim Gruda, ka thënë se kërkojnë respektimin e Kushtetutës.
“Ne sapo kemi dorëzuar në emër të Partisë Demokratike të Kosovës kërkesën në drejtim të kryesuesit të seancës, zotëri Avni Dehari, për mbajtjen e vazhdimin përkatësisht të seancës konstituive për nesër, datë 14 gusht, në ora 11:00, siç kërkon rregullorja e Kuvendit të Kosovës. Sepse rregullorja, siç dihet tashmë, kërkon që të ketë mbledhje ose vazhdim të mbledhjes çdo 48 orë. Ne kemi dorëzuar këtë kërkesë për të kërkuar respektimin e Kushtetutës, aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rregullores së punës së Kuvendit”, tha Gruda.

