Në ambientet e Bashkisë Himarë u promovua ditën e sotme libri “Jemi që pa ardhur deti”, një ese-intervistë me poetin Lefter Çipa nga autori Akri Çipa.
Botimi i ri i Akri Çipës, rezident në SHBA, vjen i pasuruar me një ese të re të autorit, si edhe me intervistën e zgjeruar me poetin Lefter Çipa, realizuar në vitin 2017, e cila rikthehet si një dëshmi me vlerë për jetën, krijimtarinë dhe mendimin e një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë dhe polifonisë shqiptare.
Për herë të parë, libri vjen edhe në anglisht me titullin “We Were Here Before the Sea”.
Përmes këtij botimi, të sjellë nga enti botues B& M në Tiranë dhe Qendra Muzeu i Fjalës, lexuesit ndërkombëtarë do të kenë mundësinë të njihen më nga afër me pasurinë e traditave, të këngës, të fjalës dhe të kujtesës, si edhe me vlerat kulturore që përshkojnë veprën.
Ky botim u realizua me mbështetjen e Bashkisë Himarë dhe të Qendrës “Muzeu i Fjalës”, të cilat autori i falënderoi për kontributin dhe përkushtimin e tyre në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.
Në aktivitet folën gazetari i njohur nga Gjirokastra Ëngjëll Seriani, poetja Ledia Dushi, aktori i njohur Luftar Paja, politikani Petro Koçi si dhe redaktori i vëllimit, poeti dhe gazetari Aleksandër Çipa, njëherësh at i autorit dhe bir i poetit të paharruar Lefter Çipa.
Në aktivitet morën pjesë gazetarë, shkrimtarë, këngëtarë, intelektualë dhe përfaqësues të ndryshëm nga zona e Bregut, Labërisë dhe emigracioni.
Paraqitja e këtij botimi dy gjuhësh do të realizohet edhe në qytete të ndryshme të vendit dhe në diasporë.

