Një ish-profesor i Universitetit të Kembrixhit, Jason Arday , i cili dha dorëheqjen pas akuzave për plagjiaturë, është gjetur i vdekur, raporton Sky News. Ai u gjet pa ndjenja në Londër këtë pasdite.Arday, 41 vjeç, i cili u bë profesori më i ri me ngjyrë në Kembrixh në vitin 2023, dha dorëheqjen nga pozicioni i tij si profesor i sociologjisë së arsimit javën e kaluar. Kjo vjen pas një serie raportimesh që pretendojnë se ai ka plagjiatuar disertacionin e tij të doktoraturës në Universitetin John Moores të Liverpulit.
Pretendimet e tij të tjera, përfshirë vrapimin e 900 km në gjashtë ditë dhe mbledhjen e milionave për bamirësi, janë gjithashtu nën hetim.
– Fatkeqësisht, një burrë 41-vjeçar u shpall i vdekur në vendngjarje. Të afërmit e tij janë informuar dhe policia po u ofron atyre mbështetje. Për momentin, vdekja e tij po trajtohet si e papritur, por jo si e dyshimtë – tha një zëdhënës i Policisë Metropolitane.
Sipas një biografie të Universitetit të Kembrixhit, Arday u diagnostikua me një formë të çrregullimit të spektrit të autizmit, që do të thoshte se ai nuk mund të fliste deri në moshën 11 vjeç, as të lexonte ose të shkruante deri në moshën 18 vjeç.
Pavarësisht kësaj, ai u regjistrua në universitet, u trajnua si mësues dhe më pas filloi karrierën e tij akademike, përpara se të siguronte një vend në një universitet të Grupit Russell.
Duke dhënë dorëheqjen nga pozicioni i tij, ai u shkroi kolegëve të tij: “Ndërsa kritika është një pjesë e pashmangshme e jetës akademike, ajo që kam përjetuar ka shkuar shumë përtej mosmarrëveshjeve shkencore. Akuzat e pamëshirshme, spekulimet dhe komentet publike kanë ndikuar thellësisht tek unë dhe tek ata që dua.”
Kujtimet e tij pritet të botohen më 27 gusht, megjithëse botuesi është përballur me thirrje për të shtyrë publikimin e tyre.

