Hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, kanë arrestuar të dielën në Zveçan një person me inicialet I.M., i dyshuar për përfshirje në veprat penale që lidhen me ngjarjet e majit të vitit 2023.
Sipas komunikatës së përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, I.M. dyshohet për sulm ndaj personit zyrtar, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, si dhe rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare.
Arrestimi është bërë pas një serie veprimesh hetimore të ndërmarra nga autoritetet. I dyshuari dyshohet se ka qenë i përfshirë në sulmet ndaj pjesëtarëve të misionit të KFOR-it dhe zyrtarëve të Policisë së Kosovës gjatë përleshjeve të majit 2023 në veri të vendit.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme procedurale, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet ndërkombëtare.
I.M. konsiderohet i dyshuar dhe jo fajtor deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

