Sunday, August 16, 2026
HomeLajmeKosovëTahiri: Vota nuk të jep pronësi mbi shtetin, askush nuk është mbi...

Tahiri: Vota nuk të jep pronësi mbi shtetin, askush nuk është mbi Kushtetutën

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, ka kritikuar bllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit, duke thënë se situata nuk përbën më vetëm krizë politike, por çështje të respektimit të rendit kushtetues dhe funksionimit të institucioneve të Republikës.

Deklaratat e Tahirit janë bërë pas seancës së tretë të iniciuar nga PDK-ja, në përputhje me afatin prej 48 orësh të paraparë me Rregulloren e Kuvendit për vazhdimin e seancës konstituive.

“Sot nuk po flasim vetëm për një krizë politike. Sot po flasim për Republikën, për Kushtetutën dhe për Kuvendin – për institucione që nuk i përkasin asnjë individi dhe asnjë partie politike”, ka deklaruar Tahiri.

Ai ka thënë se Kushtetuta duhet të jetë kufiri i pushtetit dhe ka kritikuar atë që e konsideron përpjekje për ta shndërruar procesin institucional në instrument politik.

“Kushtetuta nuk është një dokument që respektohet vetëm atëherë kur i konvenon pushtetit. Kushtetuta është kufiri i pushtetit. Është garancia se institucionet nuk mund të shndërrohen në instrument të një individi dhe se askush nuk është mbi Republikën. As Albin Kurti”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, mandati që merret përmes votës nuk nënkupton pronësi mbi shtetin.

“Vota të jep mandat. Vota nuk të jep pronësi mbi shtetin. Pushteti në demokraci nuk është privilegj personal. Është përgjegjësi, është i kufizuar dhe është i përkohshëm. Mbi të qëndron Kushtetuta”, është shprehur ai.

Tahiri ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, se është pjesë e bllokadës institucionale dhe se nuk mund të paraqitet njëkohësisht si viktimë e saj.

“Nuk mund të jesh njëkohësisht pjesë qendrore e bllokadës dhe të paraqitesh si viktimë e saj. Nuk mund t’i bllokosh institucionet dhe pastaj të pyesësh pse institucionet nuk funksionojnë. Nuk mund ta mbash Republikën në pritje dhe pastaj ta quash këtë normalitet demokratik”, ka deklaruar ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së ka theksuar se partia e tij nuk kërkon privilegje apo marrëveshje politike në tavolinë, por funksionimin e institucioneve.

“Ne nuk kërkojmë privilegj. Nuk kërkojmë përjashtim. Nuk kërkojmë pushtet në tavolinë. Kërkojmë funksionimin e Republikës. Kërkojmë që Kuvendi ta ushtrojë rolin e tij dhe që institucionet të mos mbahen peng i kalkulimeve të një partie”, ka thënë Tahiri.

Ai ka shtuar se PDK-ja nuk do ta pranojë si normalitet bllokimin institucional dhe as pritjen e institucioneve deri në gjetjen e një zgjidhjeje politike që, sipas tij, i përshtatet një individi.

“Republika nuk fillon me Albin Kurtin dhe Republika nuk përfundon me Albin Kurtin. Qeveritë ndryshojnë, kryeministrat ndryshojnë, deputetët dhe shumicat ndryshojnë. Republika mbetet”, ka deklaruar Tahiri.

Në përfundim, ai ka theksuar se asnjë individ, parti apo pushtet nuk mund të jetë mbi Kushtetutën dhe institucionet.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram