Dogana e Kosovës ka shënuar rritje të të hyrave gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2026, duke arkëtuar mbi 1.15 miliardë euro.
“Dogana e Kosovës vijon të shënojë rezultate të qëndrueshme në mbledhjen e të hyrave dhe në përmbushjen e objektivave institucionale. Gjatë periudhës janar–korrik 2026, të hyrat bruto kanë arritur në 1,153,076,683.00 euro, krahasuar me 1,085,940,460.22 euro në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Kjo paraqet një rritje prej 6.18 %, ose rreth 67.14 milionë euro më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak”, njofton Dogana.
Rezultatet sipas kategorive: Taksa e Doganës: 110.61 milionë € në vitin 2026, krahasuar me 103.53 milionë € në vitin 2025 – rritje prej 6.84%, taksa e Akcizës: 366.16 milionë € në vitin 2026, krahasuar me 352.05 milionë € në vitin 2025 – rritje prej 4.00% dhe TVSH-ja: 673.47 milionë € në vitin 2026, krahasuar me 628.12 milionë € në vitin 2025 – rritje prej 7.21%.
“Rritja e të hyrave reflekton punën e vazhdueshme të Doganës së Kosovës në administrimin dhe mbledhjen e të hyrave, forcimin e kontrolleve doganore, përmirësimin e efikasitetit operacional dhe zbatimin e legjislacionit doganor. Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në rritjen e efikasitetit, digjitalizimin e proceseve dhe lehtësimin e tregtisë së ligjshme, duke garantuar njëkohësisht mbrojtjen e interesave financiare të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Doganës së Kosovës.

