Partia Demokratike e Kosovës ka vazhduar edhe të hënën aksionin para objektit të Qeverisë së Kosovës, në shenjë proteste ndaj mosvazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit.
Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, tha se me këtë aksion synojnë t’i bëjnë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të kthehet në Kuvend dhe të kontribuojë në përfundimin e procesit të konstituimit.
Sipas Hoxhës, Kurti duhet të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe të mundësojë funksionalizimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 7 qershorit.
“Kurti duhet ta kuptojë, që në vend se ta sabotojë Kuvendin, ai duhet të vijë aty dhe të krijojë mundësi për ta konstituuar Kuvendin. Ajo është puna e tij parësore që duhet ta bëjë si fitues i zgjedhjeve të fundit: ta propozojë emrin dhe të ecim përpara në themelimin e institucioneve”, tha ajo.
PDK-ja ka paralajmëruar se do t’i drejtojë sërish letër kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, me kërkesën për thirrjen e vazhdimit të seancës.
“Një gjë duhet ta dinë edhe qytetarët dhe të gjithë të tjerët që nuk jetojnë në Kosovë, por kontribuojnë për Kosovën. Albin Kurti nuk mund të jetë mbi shtetin e Kosovës, partia e tij nuk mund të jetë mbi shtetin e Kosovës dhe mbi Kushtetutën e Kosovës. Andaj, i bëjmë thirrje që sa më parë të kthehen në Kuvend, aty ku e kemi vendin për të nisur legjislaturën e XI dhe për të kthyer rendin kushtetues”, theksoi Hoxha.
Ndërkohë, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka bërë thirrje për dialog dhe marrëveshje ndërmjet partive politike. Ai ka paralajmëruar se vazhdimi i seancës pa një marrëveshje mund ta rrisë tensionin dhe rrezikun e përplasjeve brenda Kuvendit.
Ngërçi politik po vazhdon, ndërsa Kuvendi ende nuk është konstituuar pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Deputetët kanë dhënë betimin, por procesi ka ngecur në pikën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, pasi kryeministri në detyrë dhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka kërkuar marrëveshje për president konsensual.

